Ish-gjyqtari Artan Gjermeni ka komentuar dy nga çështjet kryesore që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe ndikimin e politikës në të.
Në studion e “News24”, Gjermeni zhvilloi një analizë teknike dhe juridike të çështjes “Balluku”, duke u ndalur te zvarritja në Gjykatën Kushtetuese e vendimit për ankimimin e Kryeministrisë ndaj pezullimit të zëvendëskryeministres dhe kërkesës për shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së.
Sipas tij, bëhet fjalë për një vendimmarrje të rëndësishme, e cila nuk mund të merret brenda pak ditësh, ndërsa vonesat janë të justifikuara. Gjermeni theksoi se brenda Gjykatës Kushtetuese ka diskutime dhe debate mes konstitucionalistëve, pasi vendimi pritet të krijojë precedent dhe të ketë efekt edhe për raste të ardhshme.
Ai nënvizoi se nuk ka pasur më parë një rast të ngjashëm, ndaj kërkohet një interpretim i fortë ligjor dhe logjik për të garantuar një vendim të qëndrueshëm.
“Për mua, Kryeministri në çështjen Balluku për Gjykatën Kushtetuese është një kërkesë logjike. Mund të ndodhi që një prokuror në Sarandë apo Kukës, mund të mendoj këtë, të zbulojë se një qeveritar mund të jetë i korruptuar pa e ditur se është kryeministri apo zv/kryeministri, por i dalin të dhënat më pas. Ai mund të kërkojë një masë shtrënguese dhe ndaluese. Dhe kërkojnë një masë shtrënguese dhe ndaluese, pra Kukësi dhe Saranda. Por pyetja është se e bën SPAK kërkesën për kryeministrin dhe zv/kryeministrin. Por kur ka urgjenca në çështje mund të ndodhë edhe kjo. Por kjo sjell faktin që vendi nëse merret kjo masë, të mbetet pa kryeministër në këtë llogjikë. Ndaj Gjykata Kushtetues e ka të drejtë të marrë këtë vendim”, shpjegoi ai në terma teknikë.
Gjermani tha se vonesat vijnë për shkak se vendimi është teknik, edhe pse vendimmarrja duket e lehtë. Pra kërkon kohën e saj dhe një debat logjik mes gjyqtarëve, ku të argumentohet dhe të nxirret në fund një “vendim i bukur dhe që shërben për tërë jetën”.
“Vendimi është teknik ndaj edhe po vonohet, është çështje e vështirë, edhe pse vendimmarrja është e lehtë. Është vendim teknik për të vendosur pezullimin zv/kryeministrit. Ndaj ata debatojnë me njëri-tjetrin që të vijnë në unison për vendimin dhe çështjen. Duhet një llogjikë e arsyetuar që të dalë një vendim i bukur, e që të përdoret për tërë jetën, sepse çështja është teknike dhe vendos një precedent”, argumentoi ai.
Në lidhje me sulmet e politikës ndaj drejtësisë dhe akuzat që hidhen ndaj sistemit vazhdimisht, Gjermani u shpreh se ai është i familjarizuar me to për shkak se i ka vuajtur mbi shpinë dhe vuri në dukje se kjo ndodhte në mënyrë permanente që prej vitit 1992, ku dhuna politike është e hapur ndaj sistemit të drejtësisë.
“Në vështrim historik, politika gjithmonë këtë ka bërë me drejtësinë. Edhe unë kam vuajtur për shkak të asaj që ndodhi si anëtar i KLD, nga politika dhe mora atë që mora. Pra dhuna dihet dhe bëhet në mënyrë të hapur, nga viti 1992 dhe në vijim ajo ka qenë permanente dhe në mënyrë të hapur. Nuk ka për të munguar ndonjëherë dhuna politike ndaj sistemit të drejtësisë, më jepni një rast pas vitit 1992 kur s’ka pasur dhunë politike”, tha ai.
Ish-magjistrati shpjegoi se edhe vonesa e Kushtetueses për vendimin “Balluku” ishte normale, sepse gjyqtarët konstitucionalistë nuk mund të gabojnë.
“Ndaj vonesa e GJK është normale, sepse nuk mund t’i kërkosh vendim për kaq apo aq ditë, nuk ka kosto kohe për GJK-në në këtë çështje. Sepse një gabim i GJK në arsyetim nuk është njëlloj me atë të gjyqtarit të rrethit apo të një shkalle më poshtë”, u shpreh Gjermeni.
