Pas 22 javësh në Superiore, Vllaznia e Shkodrës ka shfaqur një formë të shkëlqyer, duke renditur vetën në vendin e parë me 42 pikë, tre pikë më shumë se dy rivalët e saj të afërt, Elbasani dhe Egnatia, që ndodhen respektivisht në vendet e dyta dhe të treta me 39 pikë secila.
Ky rezultat është një pasqyrë e qartë e forcës dhe asaj çfarë ka treguar skuadra shkodrane në fushën e lojës. Që pavarësisht uljeve dhe ngritjeve, ka ditur të reagojë e tashmë të kryesojë edhe elitën e futbollit tonë. Sulmi i Vllaznisë është një ndër pikat më të forta të skuadrës këtë sezon. Me 29 gola të shënuar deri tani, ata kanë sulmin më të mirë në kampionat, duke lënë pas dy skuadrat rivale, Egnatian dhe Dinamon, të cilat kanë shënuar nga 27 gola.
Kjo pasqyron një skuadër të balancuar, që është e aftë të krijojë mundësi të shumta shënimi dhe të shfrytëzojë më së miri ato. Kjo forcë sulmuese ka kontribuar dukshëm në ngritjen e moralit të skuadrës dhe në rritjen e besimit për titullin kampion. Në anën tjetër, edhe mbrojtja e Vllaznisë ka treguar stabilitet dhe siguri. Me vetëm 16 gola të pësuar, shkodranët janë një ndër skuadrat që kanë pësuar më pak, së bashku me Elbasanin dhe Dinamon.
Ky balancim mes sulmit dhe mbrojtjes është thelbësor për suksesin e skuadrës, e cila po tregon se ka kapacitetin për të menaxhuar ndeshje të ndryshme dhe për të kontrolluar ritmin e lojës, pavarësisht kundërshtarëve të fortë. Statistikat e këtij sezoni shkojnë paralelisht me ambiciet dhe objektivat e Vllaznisë për këtë edicion. Me një pozicion të tillë dhe një rendiment kaq të lartë, skuadra ka ngritur pritshmëritë, jo vetëm për një sezon të suksesshëm, por edhe për një konkurrencë të fortë për titullin kampion. Ku synimi kryesor i 9 herë kampionëve të vendit është rikthimi i kampionatit në Shkodër pas 25 vitesh “thatësirë”.
