Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali vijoi vizitën e saj në Uashington me disa takime në Kongresin Amerikan, që patën në fokus thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA në disa dimensione.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë u prit nga Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, veterani i ushtrisë amerikane Brian Mast, i angazhuar për avancimin e marrëdhënieve SHBA–Shqipëri.

Gjatë këtij takimi u theksua bashkëpunimi në fushën e sigurisë si aleatë në NATO, si dhe angazhimi i përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Spiropali u takua edhe me Kongresmenin Jimmy Patronis për potencialin e bashkëpunimit ndërsektorial në fusha si rritja e investimeve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës.

Spiropali dhe Patronis u ndalën në rëndësinë që ka për sigurinë dhe mobilitetin ushtarak të NATO-s, ndërlidhja infrastrukturore përmes projektit strategjik të Korridorit të VIII-të.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ministrja e Jashtme u prit edhe nga Kongresmenët Ritchie Torres, Bashkëkryetar i “Albanian Caucus”, mbështetës aktiv i komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe nga Anëtari i Lartë të Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punët e Jashtme, William R. Keating, dhe Kongresmeni Keith Self.

Ministrja i falenderoi kongresmenët për vëmendjen e posaçme ndaj Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-ve në rajon, vijon të jetë thelbësor për zhvillimin demokratik.

Më tej, Ministrja Spiropali do të pritet në Senatin Amerikan nga Senatorët Steve Daines, Gary Peters dhe Elissa Slotkin, ku do të riafirmohet roli i Shqipërisë si partner i ngushtë i shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vizita zyrtare e Spiropalit do të vijojë me takimet e zyrtarëve të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe me drejtuesit e “The Heritage Foundation”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb