Sikur të mos mjaftonin largimet dhe grupi i cunguar, Flamurtari gjatë kësaj periudhe ka pasur probleme edhe me dëmtimet.

Një nga futbollistët që ka munguar gjatë është edhe Stiven Janku. Lojtari që erdhi në Vlorë nga Feronikeli i Kosovës pësoi tërheqje në pulpë. Pas një mungese të gjatë ai tashmë do të jetë gati. Me eksperiencën e tij te Partizani, Luftëtari, Bylis, Egnatia dhe Dinamo, Janku shikohet si një pikë e rëndësishme për vlonjatët. Burime pranë klubit pohojnë se ai e ka kaluar dëmtimin dhe është i gatshëm për të qenë nën urdhrat e trajnerit Moriero.

SULMUESI – Maksuti mungoi në përballjen e fundit me Vorën për shkak të një shqetësimi në shpinë, duke e detyruar stafin teknik të ekipit të bëjë ndryshime në formacion. Lojtari është nën kujdesin e stafit mjekësor të klubit, i cili po monitoron me kujdes gjendjen e tij fizike për të përcaktuar kohën e rikuperimit. Trajneri ka theksuar se mungesa e Maksutit ka ndikuar në strategjinë e skuadrës gjatë ndeshjes, por gjithashtu ka shprehur besim se sulmuesi do të rikuperohet në kohë për sfidën e ardhshme ndaj Egnatianit.

Për momentin, ekipi po punon për të gjetur zëvendësues të përshtatshëm në mënyrë që të mos ndikohet rendimenti në fushë. Situata e Maksutit do të vazhdojë të monitorohet ditë pas dite, ndërsa tifozët presin lajme pozitive për rikthimin e tij në stërvitje dhe më pas në ndeshjen e radhës.

DËMTIMET NJË MAKTH – Flamurtari nuk ka qenë i qetë as nga dëmtimet në muajt e fundit të vitit 2025, të cilat patjetër reflektohet edhe në këtë nisje të vitit 2026, pasi janë lojtarë të cilët ende nuk janë gati. Krist Evo Ememe tronditi Flamurtarin pasi u operua në klavikulë. Por tashmë ai është rikthyer, por ende jo në gjendjen optimale.

Gjatë mungoi edhe Alesandro Bolzan. Italiani iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për dëmtimin e pësuar. Lojtari është rikthyer tashmë por megjithatë i mungon forma e duhur për të ndihmuar skuadrën. Jashtë fushave qëndroi edhe mbrojtësi Denis Pjeshka pas dëmtimit në pulpë. Ai ka ndjekur një terapi rehabilituese. Shkodrani tashmë e ka lënë pas dëmtimin dhe është i gatshëm që nga minuta e parë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb