Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës komunën e Porcarit, në fushën e Luccës, në Itali, ku katër anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.
Viktimat janë babai 48-vjeçar, bashkëshortja e tij 43 vjeçe dhe dy fëmijët e tyre, 22 dhe 15 vjeç, me origjinë shqiptare. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, u shpëtua por ndodhet në gjendje kritike i shtruar në Spitalin Cisanello, pasi humbi ndjenjat për shkak të helmimit sapo mbërriti në banesë.
Corriere raporton se sipas autoriteteve, ishte pikërisht vëllai i kryefamiljarit ai që ngriti alarmin, pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave. Pasi mbërritën në shtëpinë trekatëshe dhe nuk morën përgjigje, ai dhe dy oficerë të karabinierëve hynë me forcë brenda, ku u përballën me një skenë të rëndë: katër trupat e pajetë të shtrirë në dysheme.
Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës së darkës. Kur ekipet e shpëtimit hynë në banesë, gjetën tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë. Dy karabinierët që ndërhynë për ndihmën e parë pësuan gjithashtu shenja të lehta helmimi, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrjedhjes së monoksidit të karbonit dhe për të verifikuar gjendjen e sistemit të ngrohjes në banesë.
