Një ngjarje tronditëse ishte ajo që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Itali, ku një familje e tërë me origjinë shqiptare humbi jetën pas helmimit nga dioksidi i karbonit.
Ernest Çela, një fqinj i familjes dhe ndër të parët që ishte në vendin e krimit, tregon momentet kur gjetën katër trupat e pa jetë të Arti Kolës, 48 vjeç, Jonida Kolës, 43 vjeç, djali i tyre, Hajdar, 22 vjeç dhe vajza, Xhesika, 15 vjeç.
Ai ka rrëfyer se në momentin kur i gjetën ata kishin ende rrahje zemre, por se nuk kanë mundur të mbijetojnë.
Monoksidi i karbonit në banesë ka qenë me sa duket shumë i përqendruar, kjo pasi i riu rrëfen se që në momentin që kanë hyrë, ai, babai i tij, dy karabinierët dhe vëllai Arti Kolës është ndjerë keq.
“Mbrëmë rreth orës 21:30 erdhi patrulla e policisë bashkë me xhaxhanë e djalit që ka ndërruar jetë. Menjëherë hymë në banesë dhe u ngjitëm në katin e dytë, ku pashë 4 trupat pa jetë të shtrirë pa ndjenja në tokë. Në atë moment shkova menjëherë të kontrolloja nëse kishin akoma puls dhe deri në atë moment kishin ende. Më pas, një moment, xhaxhai i djalit, ai që tani është i shtruar në spitalin e Cisanellos në gjendje të rëndë, humbi ndjenjat. Më pas edhe mua filluan të merreshin mendtë bashkë me tim atë dhe dy karabinierët që hymë brenda. Aty kuptuam se në ajër kishte diçka, një gaz ose diçka e ngjashme. Në vendngjarje erdhi fillimisht ambulanca dhe më pas zjarrfikësja”, ka thënë ai.
Si ndodh helmimi nga monoksidi i karbonit
Helmimi nga monoksidi i karbonit është një formë potencialisht fatale e helmimit e shkaktuar nga një gaz i padukshëm dhe pa erë. Pasi thithet, monoksidi i karbonit lidhet me hemoglobinën në gjak shumë më lehtë sesa oksigjeni, duke i penguar indet dhe trurin të marrin ajrin e nevojshëm. Kjo mund të çojë shpejt në humbjen e vetëdijes dhe, në raste të rënda, në vdekje nga mungesa e oksigjenit
