Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit të aktualitetit politik, duke u ndalur veçanërisht te çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe veprimet e mazhorancës në raport me kërkesat e drejtësisë.
Sipas Bylykbashit, mjafton leximi i dosjes së Ballukut në Këshillin e Mandateve për të kuptuar seriozitetin e situatës. Ai theksoi se relacioni i prokurorit është tronditës dhe ngre pikëpyetje të forta mbi funksionimin e shtetit.
“Kur lexon relacionin e prokurorit, vë duart në kokë. Të duket e pabesueshme si mund të funksionojë shteti në një mënyrë kaq të sëmurë,” u shpreh deputeti i PD-së.
Bylykbashi deklaroi se opozita ka kërkuar pesë herë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, por kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka refuzuar ta thërrasë. Për këtë arsye, sipas tij, Partia Demokratike ka depozituar kallëzim penal në SPAK ndaj Peleshit, duke e akuzuar për bllokim të funksionimit institucional.
“Ai po zbaton urdhra të Edi Ramës. Rama ka bllokuar qëllimisht procesin,” tha Bylykbashi.
Deputeti theksoi se situata lidhet edhe me masën e pezullimit të Ballukut, çështje që, sipas tij, po zvarritet në mënyrë të turpshme në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, ai shtoi se Prokuroria ka kërkuar masë arresti, por për zëvendësimin e masës kërkohet leja e Kuvendit, e cila po pengohet nga mazhoranca.
“Rama ka kthyer Parlamentin në një sistem imunitar për pushtetin e vet,” u shpreh Bylykbashi, duke kujtuar se rasti më i gjatë për heqjen e mandatit në të kaluarën ka qenë ai i Sali Berishës, që ka zgjatur vetëm nëntë ditë.
Sipas tij, mazhoranca po shtyn vendimmarrjen qëllimisht drejt afatit tre mujor, pasi rregullorja e Kuvendit parashikon se nëse Parlamenti nuk merr vendim brenda këtij afati, kërkesa e Prokurorisë bie automatikisht.
“Po u themi shqiptarëve se Prokuroria kërkon vendim të shpejtë, brenda 2–5 ditësh, sepse ka prova që po dëmtohet procesi i hetimit. Ndërsa këta e trajtojnë çështjen me zvarritje të qëllimshme,” përfundoi Bylykbashi.
