Sllovenia po përgatit një projektligj që do të ndalojë aksesin në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç, tha zëvendëskryeministri slloven Matej Arkon në një konferencë për shtyp të martën. Sllovenia, me një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh, ndjek shembullin e Spanjës dhe vendeve të tjera që kanë propozuar ndalimin e përdorimit të mediave sociale nga adoleshentët , në një shenjë të një forcimi të qëndrimeve në Evropë ndaj teknologjisë që disa thonë se është projektuar të krijojë varësi.
Arkon tha se Ministria e Arsimit ka marrë iniciativën, duke u mbështetur në përvojën e vendeve të tjera, dhe se ekspertë në arsim dhe teknologji dixhitale do të përfshihen gjithashtu në hartimin e projektligjit që synon mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Ka qenë një çështje shumë ‘e nxehtë’ në të gjithë botën dhe në Evropë në javët dhe muajt e fundit, dhe me këtë, ne si qeveri po tregojmë se kujdesemi për fëmijët tanë”, tha Arkon pas një mbledhjeje të kabinetit.
Ai vuri në dukje se qeveria dëshiron të rregullojë rrjetet e mediave sociale ku ndahet përmbajtja, duke përmendur ndër të tjera TikTok, Snapchat dhe Instagram.
Spanja dëshiron të ndalojë mediat sociale për adoleshentët nën moshën 16 vjeç. Vende të tjera, përfshirë Britaninë dhe Francën, po shqyrtojnë gjithashtu masa më të ashpra në mediat sociale, pasi Australia në dhjetor u bë vendi i parë që ndaloi aksesin në platforma të tilla për fëmijët nën moshën 16 vjeç.
