Emisioni investigativ Vetting | News24
Nga viti 2019 deri në fund të vitit 2025, qeveria shqiptare ka nxjerrë 25 akte normative vetëm për ndryshimin e buxhetit të shtetit. Aktet normative janë vendime, që kanë veprim të menjëhershëm si ligj, pa kaluar fillimisht në Parlament. Kushtetuta ia lejon Këshillit të Ministrave si mjet vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur vendi nuk mund të presi debat parlamentar. Në këto raste, qeveria mund të ndërhyjë menjëherë kur ndodh diçka urgjente si krizë, fatkeqësi apo rrezik për paralizimin e shtetit.
Hulumtimet e kryera nga “Vetting” dhe analiza e ekspertëve fiskalë dhe ligjorë, duke u bazuar te vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbulojnë se aktet normative janë kthyer në një mjet për të kanalizuar fondet te projekte korruptive, që tashmë janë nën hetim nga SPAK. Ky hulumtim ndalet te mënyra si janë përdorur aktet normative, roli i ministrit të Financave dhe përgjegjësia e firmës në Kryeministri.
Precedentët e vendosur nga Gjykata Kushtetuese
Qeveria shqiptare e nxjerr dhe miraton aktin normativ sipas Kushtetutës dhe standarteve të vendosura nga Gjykata Kushtetuese. Në relacionet për aktet normative apo vetë aktet, do të zbuloni se ato i referohen nenit 101 të Kushtetutës, me bazë dy vendimet nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas ekspertit fiskal Eduart Gjokutaj janë këto vendime, që japin udhëzime për përdorimin e aktit.
“Gjykata Kushtetuese është shprehur në 2 raste, në vitin 2006 dhe në vitin 2014 për aktet normative të hartuar dhe të miratuara se si ato bien ndesh me nenet përkatëse të Kushtetutës, për sa i përket ndërhyrjes në buxhet duke anashkaluar Kuvendin”, u shpreh për “Vetting” eksperti Gjokutaj.
Në vendimin nr. 24, në 10 nëntor 2006, çështja lidhej drejtpërdrejt me Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe me rrezikun e ndërprerjes së furnizimit të vendit me energji elektrike. Problemi ishte se KESH ndodhej në një situatë financiare të atillë që nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për të siguruar vazhdimin e blerjes së energjisë elektrike, nën kushtet e mungesës së prodhimit dhe detyrimeve të papaguara.
Qeveria shqiptare e asaj kohe deklaronte se pa një ndërhyrje të menjëhershme ligjore, Koorporata nuk mund të merrte hua, të garantonte kontrata ose të siguronte financim për blerjen e energjisë, e cila do të sillte pamundësi për të furnizuar vendin me energji elektrike. Gjykata do t’i jepte të drejtë qeverisë pasi vendi ndodhej në kushtet e emergjencës dhe kishte nevojë për energji elektrike.
Në dallim nga vendimi i 2006, në vendimin nr.23, në 16 prill 2014 do të kishim një akt normativ që lidhej drejtpërdrejt me ndryshimin e buxhetit nga qeveria.
Partia Demokratike do ta çonte çështjen në Gjykatë Kushtetuese sepse qeveria Rama 1, që është akoma edhe sot në pushtet, do të ndryshonte buxhetin e shtetit duke rritur ndjeshëm borxhin publik me anë të aktit normativ. Edhe në këtë rast, Gjykata do t’i jepte përsëri të drejtë qeverisë pasi kishte argumente për nevojën dhe urgjencën dhe se akti normativ është miratuar më pas nga Kuvendi, çka përmbushte kontrollin e parashikuar nga neni 101 i Kushtetutës.
Aktet normative, si instrument për afera korruptive
Në dhjetor 2022, qeveria shqiptare do të miratonte Aktin Normativ nr.17, datë 1.12.2022 dhe Aktin Normativ nr.19, datë 29.12.2022, për ndryshime në buxhetin e vitit 2022, duke u mbështetur në pretendimin e “nevojës dhe urgjencës” ndërkohë që emergjenca e Covid-19 ishte hequr prej kohësh.
Këto akte do të propozoheshin nga ish ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Brahimaj dhe do të do të firmoseshin nga zv.kryeministrja Belinda Balluku. Rëndësia e këtyre akteve lidhet me faktin se zv.kryeministrja ka alokuar 5 miliardë lekë ose 50 milionë euro për pagesat për këto projekte, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilën e drejton po vetë. Për të dyja këto projekte, Balluku është nën akuzë nga SPAK-u për shpërdorim detyre për paracaktim tenderash. Madje mazhoranca po vonon kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Ballukut me qellim arrestimin, duke ia kaluar topin Gjykatës Kushtetuese.
Sipas nënkryetarit të partisë “Mundësia” Erald Kapri, rasti i Ballukut është një komplot ndaj drejtësisë.
“Është e qartë që kjo është 1 betejë për të mbrojtur të gjitha veprat korruptive që janë bërë gjithë këto vite për të intimiduar dëshmitarët për të penguar drejtësinë kjo nuk ka pikë diskutimi”, tha deputeti Kapri.
Nënkryetari i partisë “Mundësia” Kapri shtoi se rasti i zv.kryeministres është një konflikt i hapur interesi, i cili tani bëhet për të mbijetuar në pushtet, për betejën e madhe që ka kryeministria Rama për të shpëtuar veten e vet.
Janë relacionet për këto projekte, të cilat kanë dhënë sinjalet e parë se aktet normative nga qeveria shqiptare po përdoreshin pa kriter dhe pa patur realisht emergjencë dhe nevojë.
Nga analiza e relacioneve, këto ndryshime nuk lidhen me një situatë të papritur apo emergjente, por me rishpërndarje fondesh, mbyllje teknike të vitit fiskal dhe financim projektesh të mëdha infrastrukturore.
Sipas kryetarit të partisë “Shqipëria bëhet” Adriatik Lapaj, akti normativ është një përjashtim nga rregulli.
“Përdorimi i aktit normativ për veprime që lidhen me qeverisjen e një vendi, nuk është i duhuri dhe aplikohet në mënyrë abuzive,” u shpreh për “Vetting” avokati Lapaj.
Vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për vitin 2022, evidenton se të dy aktet normative janë miratuar në tejkalim të afatit ligjor për rishpërndarjet buxhetore, i cili përfundon më 15 nëntor. Po ashtu, sipas auditit, relacionet e këtyre akteve nuk përmbajnë analiza të detajuara mbi ndryshimet, por vetëm përmbledhje të përgjithshme të destinacionit të fondeve, çka e bën të paqartë se ku qëndron konkretisht urgjenca që justifikon aktin normativ.
Një tjetër element problematik i evidentuar nga KLSH-ja është përdorimi dhe zgjerimi i Fondit Rezervë përmes këtyre akteve, duke theksuar se fondi rezervë është përdorur për shpenzime të parashikueshme, në kundërshtim me parimin ligjor që ky fond duhet të shërbejë vetëm për raste të paparashikuara.
Në këtë kontekst futet edhe trajtimi i fondeve për projektet e mëdha, mes tyre edhe tuneli i Llogarasë. Ky projekt është financuar në një klimë ndryshimesh të shpeshta buxhetore, ku vendimet janë marrë përmes akteve normative në fund të vitit, pa një debat të plotë parlamentar dhe pa transparencë të mjaftueshme mbi koston reale dhe ecurinë financiare.
Sipas ekspertit fiskal Eduart Gjokutaj, auditi evidenton në vijimësi si për përket planifikimin, por edhe për sa i përket shpërndarjes së këtyre fondeve se problemi është sistemik.
“Kjo do të thotë që planifikimet kanë problematika në mënyrën sesi ato konceptohen dhe ndikohen më shumë nga vendimet politike sesa nga vendimet ekonomike dhe interesi publik”, tha për “Vetting” eksperti Gjokutaj.
Përdorimi i tepruar i akteve, KE dhe FMN kundra qeverisë
Nga fillim viti 2023 deri në fund të vitit 2025, qeveria shqiptare dhe ministrat e ndryshëm të ekonomisë, si Delinda Ibrahimaj, Ervin Mete dhe ministri aktual Petrit Malaj nën miratimin e zv.kryeministres Balluku së bashku me Këshillin e Ministrave do të vulosnin 9 akte normative. Duhet theksuar se Shqipëria nuk ishte në kushtet e emergjencës dhe të nevojës dhe kjo gjë është e qartë dhe nga argumentet e dobëta që paraqiten në relacionet e Ministrisë së Financave.
Sipas avokatit Adriatik Lapaj korrektimi i buxhetit të shtetit, është një praktikë e zakonshme.
“Pjesa e korrektimit bëhet për shkak të ndryshimeve që ndodhin, por sigurisht nuk është një praktikë e shëndetshme”, tha për “Vetting” Lapaj.
Akti Normativ nr.5, datë 18.10.2023 dhe Akti Normativ nr.6, datë 14.12.2023 janë dy ndërhyrje të njëpasnjëshme të Këshillit të Ministrave në ligjin e buxhetit të vitit 2023. Ashtu si aktet e 2022, të dyja këto akte janë miratuar në periudhën e fundit të vitit buxhetor me qëllim rishpërndarjen e fondeve publike, pa ndryshuar nivelin e deficitit apo të borxhit publik.
Në relacionet shoqëruese dhe raportet parlamentare, urgjenca argumentohet me afrimin e mbylljes së vitit financiar dhe nevojën për të realizuar shpenzimet e planifikuara dhe jo nën rrethana të jashtëzakonshme si kriza ekonomike, fatkeqësi natyrore apo rrezik për bllokimin e administratës.
“Po të shikojmë se për çfarë janë përdorur aktet normative është që askush ose asnjë nga aktet e paraqitura nuk e përmbush kushtin e emergjencës. Pra, duket që janë lidhur për nevoja të caktuara dhe të dyshimta të qeverisë, por asnjëherë për të zgjidhur 1 situatë caktuar”, tha deputeti Kapri.
Sipas raportit të KLSH-së për zbatimin e Buxhetit të Shtetit 2023 evidentohet se buxheti është ndryshuar dy herë me akte normative dhe se një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve vjetore është realizuar në muajin dhjetor, pikërisht pas miratimit të këtyre akteve.
Në të njëjtin raport, auditi thekson se ndryshimi i ligjit të buxhetit me këto akte nuk shoqërohet me një shpjegim shterues mbi nevojën dhe urgjencën që do të justifikonte shmangien e Parlamentit.
Të dy aktet kanë të përbashkët faktin që fondi rezervë dhe ai i kontigjencës po përdoren më shumë sesa duhet. Këto fonde, që fillimisht janë krijuar për raste të paparashikuara, janë përdorur për shpenzime që dihej paraprakisht se do të ndodhnin.
Megjithatë, siç del edhe nga analizat e relacioneve shoqëruese, mbetet e diskutueshme përputhshmëria e tyre me nenin 101 të Kushtetutës.
Auditi thekson se përdorimi i shpeshtë i akteve normative për ndryshime buxhetore, veçanërisht në fund të vitit, është vërejtur edhe nga institucione ndërkombëtare si Komisioni Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilat kanë rekomanduar kufizimin e kësaj praktike.
Sipas ekspertit Gjokutaj, auditi evidenton problemin e mos shpërndarjes së duhur dhe të shpenzimeve, duke vënë theksin që buxhetet e shtetit në vitet e fundit kanë tendenca të jenë klienteliste.
“Buxhetet janë të orientuara drejt disa burimeve të parapërcaktuara dhe natyrisht këto bëjnë edhe diferencën në mënyrën se si ndryshohen”, deklaroi eksperti Gjokutaj duke marrë shkas nga raporti i auditit. Dyshimet për shkeljet gjenden edhe te aktet pasardhëse në vitin 2024, ku në aktet normative nr. 1, nr. 3 dhe nr. 5 për buxhetin e vitit 2024, së bashku me relacionet dhe raportet parlamentare, dalin në pah shumë elementë që tregojnë një model të përsëritur përdorimi problematik të aktit normativ, me shenja të forta të shkeljes së kuadrit ligjor buxhetor dhe kushtetues.
Të gjitha aktet kanë të përbashkët faktin se mbështeten formalisht në nenin 101 të Kushtetutës, duke deklaruar “nevojë dhe urgjencë”, por asgjëkundi nuk gjendet një fjalë apo fjali që të përshkruajë emergjencën apo nevojën.
Në të gjitha rastet, arsyeja ngelet rialokimi i fondeve, përmirësimi i ekzekutimit ose mbështetja e politikave sociale, elementë të cilët janë të parashikueshëm. Kjo gjë bie ndesh me standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, sipas të cilit akti normativ është përjashtim dhe jo instrument planifikimi.
Sipas nënkryetarit të partisë “Mundësia” Erald Kapri, nëse do të kishte emergjencë, qeveria shqiptare do të kishte marra masa për Onkologjikun, por në të kundërt e shfrytëzon aktin për interesa të errëta.
“Është kujdesur vetëm për projektet të cilat ajo i ka konsideruar për interesat e saj të ngushta politike se nuk bëhet më fjalë për interesat zhvillimore të Shqipërisë, por për interesa se si të kënaqen një grup klientësh të caktuar me qeverinë në mënyrë që ata pastaj ndihmojë kryeministrin që të vazhdojë pushteti”, deklaroi deputeti Kapri.
Në të gjitha relacionet vihet re një gjuhë standarde, pothuajse identike, ku përsëriten të njëjtat shprehje “performancë pozitive”, “pritshmëri deri në fund të vitit”, “nevojë për realizim optimal të buxhetit”. Në këto dokumente mungon analiza alternative dhe arsyet se pse Kuvendi nuk mund të mblidhej dhe mungon vlerësimi i pasojave afatmesme. Kjo e bën urgjencën formale dhe jo reale.
Akti normativ për startup pa emergjencë dhe nevojë
Në fund të prillit 2025, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si aksionere e vetme e Korporatës së Investimeve Shqiptare nën drejtimin e Blendi Gonxhes do t’i përcillte pranë Ministrisë së Financave projektin e startup-it të inteligjencës artificiale “Thinking Machines Lab” ku shteti shqiptar të investonte 1 miliard lekë ose jo më pak se 10 milionë dollarë. Sipas relacionit, në këto kushte, Ministria e Financave kishte përgatitur rishikimin e parë të buxhetit të vitit 2025, me anë të aktit normativ nr. 3, datë 29.04.2025.
Sipas deputetit Kapri, qeveria shqiptare nuk ka më asnjë limit me ligjin.
“E kanë përdorur ligjin dhe Parlamentin si 1 noter për të bërë gjithçka, pavarësisht se gjithçka ka qenë aspekt korruptiv nga fillimi deri në fund. Se pse ku ndodh kjo, që qeveria me ligj vendos t’ia japi një personi të vetëm, pa garë pa gjë?” do të shprehej nënkryetari i “Mundësia” për startup-in “Thinking Machines Lab”.
Sipas deklaratës së ministrit Petrit Malaj, ky projekt eshte pjesë e startup-it “Thinking Machines Lab” të një prej shqiptaro-amerikaneve më të suksesshme Mira Murati. Kjo është një nga kompanitë më të përfolura të vitit 2025 në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe është themeluar nga Murati, ish drejtoreshë e OpenAI, pasi ajo u largua nga krijuesit e ChatGPT.
Ministri Blendi Gonxhja do ta paraqiste kërkesën si urgjente sepse afati për të hyrë në projekt skadonte brenda pak ditësh, në fund të prillit 2025. Meqë ky investim nuk ishte parashikuar në buxhetin e miratuar dhe as në planifikimin afatmesëm, Ministri i Financave Petrit Malaj do të përgatiste një zgjidhje përmes aktit normativ nr. 3, i pari për vitin 2025 pasi pas tij do të firmoseshin edhe 3 akte të tjera për buxhetin, me propozim të vetë ministrit të Financave.
“Fondi iu akordua MEKI-t nga nevoja në cilësinë e aksionerit të vetëm të Koorporatës së Investimeve Shqiptare për financimin e pjesëmarrjes së qeverisë shqiptare në startup-in “Thinking Machines Lab” me një vlerë jo më pas se 10 milionë dollarë dhe me afat pagese brenda datës 29 prill 2025 sipas kërkesës që na u përcoll nga ana e Ministrisë”, do të deklaronte ministri Malaj në 5 qershor 2025 në Parlament.
Nga deklaratat e ministrit të Financave, por edhe në relacionin e Aktit Normativ nuk është e qartë nevoja, që ka Ministria që ka bërë propozimin.
“Dëshiroj të qartësoj se realizimi me urgjencë i këtij akti normativ erdhi kryesisht nga fakti se projekti duhej të financohej sa më shpejt, me qellim që të fillonte dhe zbatimi që të siguroheshin edhe përfitimet e nevojshme”, do të shprehej publikisht Ministri i Financave.
Nga fjalimi i ministrit Malaj nuk përcaktohen qartë dy elementët kryesorë sipas vendimeve nga Gjykata Kushtetuese, nevoja dhe urgjenca.
Sipas deputeti Erald Kapri, rasti i Startup-it është tipik se si është shkelur Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Nga një anë Gjykata Kushtetuese me vendimin e vitit 2014 e ka lejuar qeverinë shqiptare që në kuadër të një emergjence mund të ndërhyjë me akt normativ, por sa kohë kjo është e justifikuar kur kemi një emergjencë reale. Nëse ti kërkon të bësh një investim si qeveri për një element të caktuar, mund ta bësh fare mirë të programuar në buxhet, nuk ke asnjë emergjencë”, tha deputeti Kapri duke kritikuar metodat e qeverisë.
Paratë për startup-in u krijuan gjatë vitit 2025, si të ardhura shtesë nga administrimi dhe tjetërsimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga shteti. Këto të ardhura mblidhen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe më pas kalojnë në buxheti si të ardhura jotatimore.
Sipas ekspertit fiskal Eduart Gjokutaj, rasti specifik i alokimit të buxhetit, duke përdorur edhe Koorporatën e Investimeve Shqiptare si një instrument buxhetor sjell devijim nga ligji.
“Kjo sjell anashkalimin total të atyre elementëve që përmend ligji organik i buxhetit, edhe në tërësi mënyra se si duhet të orientohen fondet, duke shmangur ligjin e prokurimeve publike, ligjin për investimet strategjike dhe të rregullave të përgjithshme buxhetore”, u shpreh eksperti Gjokutaj.
I gjithë ky proces kalon nga Ministria e Financave, e cila harton aktin normativ, përcakton burimin e financimit, formulon arsyetimin për “nevojë dhe urgjencë” dhe përgatit relacionin shoqërues. Në këtë fazë, ministri i Financave Malaj mban përgjegjësinë kryesore ligjore për përmbajtjen e aktit, sepse ai është autoriteti që garanton përputhshmërinë me Kushtetutën, veçanërisht me nenin 101. Nëse urgjenca nuk është reale dhe ndërhyrja buxhetore mund të ishte bërë me ligj të zakonshëm, përgjegjësia materiale për keqpërdorimin e aktit normativ rëndon mbi atë.
Më pas, akti i propozuar nga Ministria e Financave është paraqitur për miratim nga zv.kryeministrja Balluku, e cila jo vetëm e nënshkruan, por edhe e fut në rendin e ditës së Këshillit të Ministrave. Në këtë fazë, edhe zv.kryeministrja Balluku mban përgjegjësi, sepse është ajo që vendos përdorimin e nenit 101 të Kushtetutës dhe garanton se akti normativ përdoret vetëm në kushte reale emergjence.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, “nevoja dhe urgjenca” ekzistojnë vetëm kur ka një situatë të jashtëzakonshme, të paparashikuar dhe të rrezikshme për interesin publik, që nuk mund të presë as procedurat e përshpejtuara parlamentare dhe që, nëse nuk trajtohet menjëherë, sjell pasoja të rënda për shtetin ose qytetarët.
Në rastin e aktit normativ për “Thinking Machines Lab”, nga dokumentet rezulton se bëhet fjalë për një investim të planifikuar, jo për një emergjencë të paparashikuar. Nuk ka rrezik për funksionimin e shtetit, nuk ka ndërprerje shërbimesh publike, nuk ka boshllëk ligjor dhe nuk ka situatë që të pamundësonte shqyrtimin nga Kuvendi edhe me procedurë të përshpejtuar. Arsyeja e vetme e përmendur është afati i vendosur nga vetë projekti, pra një kufizim kohor kontraktual dhe jo një rrezik publik.
Akti normativ do të miratohej nga Parlamenti, por dokumentet nga Koorporata e Investimeve Shqiptare dhe nga Ministria e Financave zbulojnë një mospërputhje midis transfertave financiare. Sipas aktit të publikuar, qeveria shqiptare ka miratuar 1 miliard lekë, jo 10 milionë dollarë. Duhet ta sqarojmë këtë gjë sepse 1 miliardë lekë konvertohen në 11.53 milionë dollarë sipas kursit të Bankës së Shqipërisë në ditën kur është bërë transferimi i fondit drejt Koorporatës në 29 prill 2025.
Nga ana tjetër, sipas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të Koorporatës, me anë të vendimit nr. 43, datë 30 prill 2025 sipas aktit normativ asaj i janë transferuar 867,2 milionë lekë, e barabartë me 10 milionë dollarë sipas kursit të Bankës së Shqipërisë.
Siç e përmendëm më sipër, zyrtarisht qeveria shqiptare ka transferuar 1 miliardë lekë dhe jo 10 milionë dollarë.
Ndërkohë që 132 milionë lekë ose 1.4 milionë euro nuk dihen se ku kanë shkuar.
“Vetting” i nisi një kërkesë për koment “Thinking Machines Lab”, për të sqaruar investimet nga qeveria shqiptare, për mënyrën se si kishin kaluar fondet, por deri në publikimin e këtij materiali nuk pati asnjë reagim.
“Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Koorporatës së Investimeve Shqiptare për startup-in, se cila është kompania që është përdorur për ti kaluar fondin, kush janë pronarët, por deri në publikimin e këtij materiali nuk mori asnjë informacion.
Konfliktet e interesit dhe fshehja e pasurisë nga Ministri Petrit Malaj
Vetëm në vitin 2025, Ministri i Financave Petrit Malaj do të hartonte dhe propozonte 4 akte normative për ndryshimin e buxhetit të shtetit, numri më i lartë që nga viti 2021 kur vendi ishte nën kushtet e emergjencës të fatkeqësive natyrore, ndërkohë që vitin e kaluar nuk kishte as emergjenca dhe as nevoja urgjente.
Duhet theksuar se disa ditë pas aktit normativ për startup-in, në 6 maj 2025 Partia Demokratike do të denonconte te Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve ministrin Petrit Malaj për shkak të këtij akti sepse kishte ndryshuar buxhetin e shtetit gjatë fushatës zgjedhore në shkelje të kodit zgjedhor. Por Partia Demokratike e ka denoncuar edhe më herët ministrin Malaj për lidhjet me kompanitë e auditimit që zotërojnë familjarët e tij.
Emërimi i Petrit Malaj si Ministër i Financave do të sillte pikëpyetje mbi rolin e tij dhe konfliktin e interesit me detyrën sepse sipas dokumenteve zyrtare, të afërmit e tij rezultojnë me kompani private auditimi gjatë periudhës së tij si Ministër i Financave.
Ekzistenca e interesave ekonomike të familjarëve të tij në kompani auditimi private krijon një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet interesit familjar dhe fushës së përgjegjësisë publike të ministrit.
Nga analiza e dokumenteve të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, të siguruara nga “Open Spending Albania”, platformë e AIS-it dhe nga bilancet financiare rezulton një mospërputhje e dokumentuar midis aktivitetit ekonomik të Petrit Malajt si Person Fizik, kompanisë “PBM” ku ai ka qenë aksioner dhe mënyrës se si këto aktivitete pasqyrohen në deklarimet në ILDKPKI.
Sipas ekstrakteve dhe pasqyrave financiare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, Petrit Malaj ka qenë pronar i një biznesi si Person Fizik që nga viti 2016 për shërbime konsulencë financiare deri në vitin 2024 kur ka bërë çregjistrimin. Bilancet zyrtare tregojnë se ky biznes ka qenë funksional dhe fitimprurës në disa vite radhazi, të paktën deri në dhjetor 2024.
Në vitin 2017, biznesi ka realizuar mbi 7.6 milion lekë të ardhura nga shërbimet dhe mbi 5.4 milion lekë fitim. Në vitin 2022, të ardhurat nga shërbimet kapin vlerën mbi 7.6 milion lekë, ndërkohë fitimi pas tatimit rezulton rreth 5.8 milion lekë, nga të cilat pjesa dërrmuese është tërhequr nga pronari. Edhe në vitin 2023, sipas shënimeve shpjeguese të pasqyrave financiare, biznesi ka gjeneruar rreth 7.6 milion lekë të ardhura dhe mbi 5.3 milion lekë fitim. Këto të dhëna tregojnë një aktivitet me përfitim financiar real për pronarin. Nga ana tjetër, në dokumentet e ILDKPKI-së, në deklaratën përpara fillimit të detyrës nuk rezulton i deklaruar aktiviteti si Person Fizik, nuk identifikohet NIPT-i dhe nuk pasqyrohen të ardhurat vjetore apo fitimet nga ky biznes.
Në deklarime shfaqen disa gjendje bankare, të cilat janë shënuar me burimin “të ardhura nga biznesi”, por pa specifikuar kompaninë që i ka gjeneruar, pa shumën vjetore të të ardhurave dhe pa lidhje të drejtpërdrejtë me bilancet zyrtare nga QKB-ja. Pra, këto dokumente tregojnë se ministri Malaj ka patur një biznes aktiv fitimprurës për disa vite, me të ardhura dhe fitime të konsiderueshme, ndërkohë që këto të dhëna nuk rezultojnë të pasqyruara në deklarimet e interesave private pranë ILDKPKI-së.
Sipas kryetarit të “Shqipëria bëhet” Lapaj, në rast se ka fshehje pasurie jemi në shkelje penale.
“Neni 257/a, e përcakton rastin ekzaktësisht se kur ti nuk e bën deklarimin. E thotë në paragrafin e dytë, e thotë ekzaktësisht atë gjë. Pra, kur ti e bën me qëllim fshjehjen. Kështu që gjykoj se jemi në kufinjtë e atij neni. Në rastet kur ndodh fshehja, jemi në kushtet e një vepre penale”, tha avokati Lapaj.
Por ministri Malaj ka qenë themelues dhe aksioner te kompania “PBM” shpk, e cila ka qenë e familjarëve të tij, të cilët në dhjetor 2025 kanë bërë kalimin në gjendje pasive të aksioneve.
Nga burime zyrtare rezulton se ministri Malaj nuk ka deklaruar fitimet që ka patur nga kjo kompani në ILDKPKI pasi deri në vitin 2019 ai ka qenë aksioner, periudhë në të cilën ia ka shitur aksionet familjarëve të vet. Ligji për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe të disa Nëpunësve Publikë e detyron që të deklarojë të gjitha këto fitime. Duhet theksuar se kompania “PBM” shpk ka patur shumë fitime në vitet paraardhëse, çka e detyron ministrin ti deklarojë këto pasuri.
Sipas avokatit Lapaj, formulari i deklarimit duhet të plotësohet sipas ligjit përkatës.
“Nëse formulari nuk plotësohet sipas përcaktimeve ligjore, kalohet në përgjegjësi administrative për mosdeklarim si fillim, në rastet kur ligji e përcakton dhe në përgjegjësi penale, sipas nenit 257, gërma a, e Kodit Penal, për pjesën e mosdeklarimit sipas ligjit të posaçëm”, u shpreh avokati Lapaj.
Të afërmit e ministrit kanë në pronësi dy kompani auditimi, “BDO ALBANIA” shpk dhe “PBM” shpk, ku te kompania e parë janë aksionerë së bashku me një shtetas dhe kompani të huaj.
Nga momenti që prindërit dhe të afërmit e Petrit Malajt zotërojnë ose janë të përfshirë në kompani private auditimi, krijohet një situatë konflikti interesi sipas ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave. Edhe pse ligji nuk e ndalon automatikisht ushtrimin e funksionit publik për shkak të kompanive private të familjarëve, ai i konsideron këta individë si persona të lidhur, interesat private të të cilëve duhet të deklarohen dhe të menaxhohen me kujdes të shtuar.
Sipas deputetit Erald Kapri, ky rast duhet verifikuar nga Prokuroria e Posaçme.
“Unë uroj fort që të ketë një hetim nga SPAK-u dhe të zbulojë nëse ka një konflikt të pastër interesi të ministrit aktual të financave dhe të gjitha interesat që ai mund të ketë pasur”, deklaroi deputeti Kapri.
Ligji për parandalimin e konfliktit të interesave parashikon se konflikti ekziston jo vetëm kur ka përfitim të drejtpërdrejtë, por edhe kur krijohet perceptimi se vendimmarrja publike mund të ndikohet nga interesa private të personave të lidhur.
Në dhjetor 2025, familjarët e ministrit Malaj kanë kaluar aksionet në gjendje pasive për të shmangur konfliktin e interesit ndërkohë që ministri ka qenë në detyrë prej gushtit 2024. Pra, kalimi i aksioneve në gjendje pasive është bërë pas më shumë se një viti, duke treguar se ka ekzistuar një gjendje e konfliktit të interesit.
“Vetting” kontaktoi Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për arsyet se pse nuk ka marrë masa ndaj ministrit Malaj që rezulton me familjarë me kompani auditimi. Në mbyllje të kërkesës, “Vetting” i kërkoi një kopje të masave që do merren për këtë rast institucionit, i cili është kthyer në një bunker për transparencën publike.
Prej më shumë se një viti, kryeinspektorja Evgjeni Bashari dhe sekretari i Përgjithshëm i ILDKPKI-së Arbër Basholli nuk japin informacione për “Vetting” për zyrtarët e lartë publikë dhe nuk bëjnë transparencë për masat që janë marrë ndaj këtyre zyrtarëve.
