Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka finalizuar operacionin policor të koduar “Livadhet 3”, në kuadër të hetimeve për veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje.
Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi Ornaldo Çerenishta, 19 vjeç, banues në Shkodër. Arrestimi u krye pas kontrolleve të ushtruara në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkodrës.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 aparate celularë, një sasi lënde djegëse, një automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë-Krujës në vitin 2019, si dhe dy targa automjeti që dyshohet se janë vjedhur në Tiranë në vitin 2025.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Kontrollet u kryen edhe në banesat e disa shtetasve të tjerë të dyshuar për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në lidhje me operacionet e mëparshme të koduara “Livadhet 1” dhe “Livadhet 2”.
