Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë për mediat, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën qeverisëse se po rrezikojnë seriozisht procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se sipas tij, zhvillime të fundit dhe informacione që, siç u shpreh ai, vijnë nga kancelari evropiane dhe Brukseli, tregojnë se kryeministri Rama ndodhet “në rreth të kuq” për shkak të qëndrimeve që po mban në raport me procesin e integrimit. Ai e akuzoi kryeministrin se po vepron në kundërshtim me zotimet e marra në kuadër të këtij procesi, me qëllim mbrojtjen e interesave personale dhe politike.

Sipas Berishës, burime që ai i cilësoi si serioze informojnë për diskutime të gjera që po zhvillohen në institucionet evropiane, ku, sipas tij, nuk përjashtohet as mundësia e rishikimit apo zhbërjes së procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Ai lidh këto zhvillime me atë që e quajti sjellje antikushtetuese, antidemokratike dhe antiligjore të kryeministrit, duke përmendur konkretisht çështjen e dosjeve që lidhen me zv/kryeministren Belinda Balluku dhe AKSHI-n.

Kreu i opozitës theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është një nga proceset më jetike për të ardhmen e vendit dhe, sipas tij, po vihet në rrezik nga veprimet e qeverisë aktuale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb