Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, njëherazi deputetja e PD, Ina Zhupa ka reaguar në lidhje me skandalin e mbetjeve të rrezikshme ku janë arrestuar 33 zyrtar. Ajo shprehet se çështja e kontrabandës së mbetjeve të rrezikshme përbën një krim të rëndë mjedisor që nuk mund të mbyllet me hetime sipërfaqësore, duke kërkuar që SPAK të hetojë edhe ish-ministren e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Zhupa shprehet se licencimet, mungesa e kontrollit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe autorizimet për eksport në kundërshtim me ligjet kombëtare e ndërkombëtare ngrenë dyshime serioze për përgjegjësi politike dhe institucionale, duke e cilësuar këtë aferë si një krim me pasoja afatgjata për shëndetin publik dhe mjedisin, që kërkon hetim të plotë dhe të paanshëm nga SPAK.
Reagimi i plotë:
Mirela Kumbaro duhet të hetohet nga SPAK për skandalin e mbetjeve të rrezikshme.
Hetimi për kontrabandimin e mbetjeve të rrezikshme nuk mund dhe nuk duhet të ndalet te disa kompani private apo zyrtarë të nivelit të mesëm. Faktet tregojnë qartë se kemi të bëjmë me krimin të rëndë mjedisor të konfirmuar, me pasoja afatgjata për shëndetin publik dhe mjedisin.
Mirela Kumbaro në funksionin e kohës si ministre mjedisi nuk mund të qëndrojë jashtë hetimit kur kemi të bëjmë me kontrabandë ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme.
Disa fakte të thjeshta që mund të hetoj SPAK për Mirela Kumbaron në përgjegjësitë e saj si ministre:
Kurum ka prodhuar për vite tonelata mbetjesh të rrezikshme. Nga vendimi i gjykatës është një dëshmi e një punonjësi të kompanisë Kurum i cili thotë që në 4-5 vitet e fundit, Kurumi ka prodhuar rreth 30-40 mijë tonë mbetje të rrezikshme. Ne hetojmë vetëm për 2800 tonë të kapura, pra vetëm 7 për qind.
Pyetja themelore është ku kanë përfunduar këto mbetje dhe si janë administruar?
Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka licensuar dhe nuk ka monitoruar sasi gjigante mbetjesh, gjë që ka sjellë pasoja penale. Por kjo nuk është përgjegjësi individuale, por përgjegjësi institucionale dhe politike.
Shqipëria rezulton sot e paaftë për asgjësimin e këtyre mbetjeve. Si ka qenë e mundur të autorizohen eksporte dhe licenca, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare?
Qartësisht pyetje që duhet ti jap përgjigje SPAK duke hetuar ministrinë e mjedisit dhe ministren Mirela Kumbaro. Kjo çështje nuk mbyllet me disa masa sigurie dytësore, nga kurajo dhe profesionalizmi i dy prokurorëve të Durrësit. Sepse nuk është thjesht shkelje administrative e dorës dyte, kjo cështje krim mjedisor me pasoja kancerogjene, krim që vret ngadalë dhe heshtur.
