Me dritare e dyer të shkatërruara, plot plasaritje dhe çarje në dysheme, kjo është gjendja e banesës në Çelebi të Bulqizës, ku prej vitesh nënë e bijë jetojnë mes skamjes dhe vështirësive shëndetësore.
E mbetur e ve në moshë fare të re, Dallëndyshe Eminaj me lot në sy rrëfen peripecitë e vazhdueshme, me të cilat jeta e ka përballur, që nga vdekja e bashkëshortit deri te sëmundjet e vazhdueshme të vajzës së saj. Nevoja për përkujdes ndaj së bijës, si dhe jetesa në një zonë që është braktisur masivisht, ka pamundësuar gjetjen e një pune për Dallëndyshen, e cila pohon se të vetmet të ardhura që familja e saj ka është kempi i vajzës 38-vjeçare. Kryefamiljarja shprehet se nuk përfiton përkrahje sociale si kujdestare e vajzës së sëmurë, ndaj i bën thirrje per ndihme Bashkisë se Bulqizës.
38-vjeçarja Jonida Eminaj vuan nga skolioza dhe për shkak të deformimeve të shumta që ka pësuar në shtyllën kurrizore i është nënshtruar 3 herë ndërhyrjeve kirurgjikale, ndaj dhe nuk mundet të punojë, për të siguruar të ardhura për familjen. Për rrjedhojë, borxhet në dyqane e farmaci i kanë në shifra të konsiderueshme.
Të mbetura të vetme përballë vuajtjeve të vazhdueshme, nënë e bijë bëjnë apel për ndihmë.
