Skuadra e Vllaznisë ka marrë prej dy javësh përsëri e vetme kreun e renditjes së kampionatit dhe është kthyer edhe një herë në pretendenten kryesore për titullin kampion që mungon prej një çerek shekulli në Shkodër.

Një kryesim që ka ardhur me një filozofi të ndryshme nga ajo me të cilën shkodranët nisën kampionatin, kur promovonin një lojë krejtësisht sulmuese. Ashtu siç ka pranuar edhe vetë Martini me lojtarët e tij pas ndeshjeve të fundit, tashmë ekipi po bën lojë cinike, me mendimin për të marrë fitore qoftë edhe minimale, duke sakrifikuar spektaklin.

Dhe në fakt rezulton se ky dominim në Superiore është i ndërtuar mbi fitoret 1-0, që gjithsesi i kanë dhënë mundësinë ekipit të jetë mbi të gjithë të tjerët. Janë në total 7 fitore nga 13 të këtij kampionati të regjistruara nga shkodranët, të cilat janë mbyllur me shifrat 1-0. Duhet theksuar se në 6 nga këto 7 ndeshje, goli i vetëm ka ardhur që në pjesën e parë të takimit, me kuqeblutë të cilët kanë administruar më pas mirë rezultatin për të siguruar tre pikët.

Një skemë që është përsëritur me përpikmëri në janar, me 4 nga 5 fitoret në kampionat që kanë regjistruar shifrat 1-0. Po t’i shtojmë këtu edhe suksesin minimal 1-0 në Kupë ndaj Pogradecit, tabloja bëhet edhe më e qartë.

Një zgjedhje taktike ndryshe nga tradita e kuqebluve, ndoshta më pak e bukur për t’u parë, por më efikase sa i përket objektivit që kanë shkodranët në këtë sezon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb