Autoritetet në Greqi arrestuan sot 313 persona në një bastisje në kampusin universitar të qytetit të dytë më të madh të vendit, Selanikut, pasi Policia e Trazirave u sulmua nga turma njerëzish që hodhën më shumë se 100 kokteje Molotov, sipas AP.

Policia greke tha se grupe njerëzish të veshur me kapuçë dolën sot nga kampusi i “Universitetit Aristoteli” të Selanikut në orët para të mëngjesit për të sulmuar një skuadër policie të trazirave.

Njësia zakonisht vendoset në një distancë të caktuar nga kampusi për të garantuar sigurinë – pas festave të natës që zhvillohen në ambientet e universitetit

Sulme të tilla kundër Policisë së Trazirave pranë kampusit universitar nuk janë të rralla, por kjo është hera e parë që kaq shumë njerëz arrestohen pas një përplasjeje të tillë – gjatë së cilës u përdor një numër jashtëzakonisht i lartë bombash zjarri.

Policia e Trazirave përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të zmbrapsur sulmuesit.

“Një oficer u dërgua në një spital ushtarak për shkak të djegieve në fytyrë dhe këmbë, ndërsa një civil 21-vjeçar u trajtua për probleme me frymëmarrjen”, tha policia.

Universiteti tha në një deklaratë se sulmet ishin kryer nga “ekstremistë” jashtë kampusit, në bashkëpunim me disa individë brenda territorit të universitetit.

Ata thanë se një hetim ishte duke u zhvilluar – për të përcaktuar nëse ndonjë student ka marrë pjesë.

Gjithashtu, sipas deklaratës nuk ishte dhënë leje për të organizuar ndonjë festë në territorin e universitetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb