Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në podcastin e tij “Flasim” ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, me vendim të GJKKO. Ndërkohë nga ana tjetër SPAK kërkon edhe arrestimin e saj.

Rama e cilësoi vendimin si një precedent të rrezikshëm dhe të paprecedent në vendet demokratike, duke deklaruar se Gjykata Kushtetuese “nuk gjeti forcën” për të mos lejuar, sipas tij, “rimarrjen peng të qeverisë” përmes një mekanizmi të pazakontë. Ai e quajti pezullimin e një anëtari të qeverisë në një seancë paraprake nga prokurori dhe gjykata si një praktikë të panjohur në botën demokratike.

Sipas kryeministrit, Shqipëria po shndërrohet në “shembullin e parë të një budallallëku botëror”, ndërsa shtoi se Gjykata Kushtetuese, në vend që të jepte një vendim të qartë, u “mbyt në lugën e ujit të turbullt”, duke iu referuar arsyetimeve që ai i cilësoi të paqarta dhe të pajustifikuara.

Rama u shpreh se Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion, madje as nga vetë prokurori që ka kërkuar pezullimin e saj, dhe se masa është marrë në një seancë të mbyllur, në fazën përgatitore të një gjykimi. Sipas tij, zhbërja e kësaj praktike të “drejtësisë së re Made in Albania”, të cilën e konsideroi ende të papjekur, është e domosdoshme për të garantuar pavarësinë e Parlamentit nga gjyqësori.

“Ne do ta vijojmë këtë betejë ku na ka thirrur, pa dëshirën tonë, kjo çarje antidemokratike e pezullimit të një anëtari të qeverisë”, deklaroi Rama, duke shtuar se mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e mban të hapur këtë konflikt institucional. Ai theksoi se bëhet fjalë për një vendim të thjeshtë, pasi, sipas tij, nuk ekziston asnjë rast i ngjashëm në asnjë vend tjetër të botës.

Në fund, kryeministri u shpreh se kushdo që beson se përpjekjet për shtetin ligjor dhe drejtësinë do të prodhojnë kosto politike për mazhorancën qeverisëse, gabon. Sipas Ramës, lufta për drejtësi, shtet ligjor dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka, ende sot, një garant të vetëm: atë vetë dhe mazhorancën që ai drejton.

Edi Rama:

Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë menjë mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës  në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi.

Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë,dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes. 

Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministers, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi. 

Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive  të parlamentit nga pushteti gjyqësor.

Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë. 

Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër.

Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, i futi në një thes, u them një gjë, kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse.

Kaq e thjeshtë është!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb