Prokurorët e krimit financiar në Francë kanë nisur një hetim paraprak ndaj ish-ministrit të Kulturës, Jack Lang, për dyshime për “pastrim të të ardhurave nga mashtrimi tatimor”, në lidhje me kontaktet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për pedofili.

Hetimi është hapur pas publikimit të dosjeve të Jeffrey Epstein nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara, ku dokumentohen lidhje mes familjes Lang dhe financierit amerikan. Në këto dosje, emri i Jack Lang përmendet rreth 700 herë.

Jack Lang, 86 vjeç, një nga figurat më të rëndësishme të qeverive socialiste franceze nga vitet ’80 deri në vitet 2000, ka mohuar çdo shkelje ligjore, duke i cilësuar akuzat si “të pabaza”. Në një deklaratë për AFP, ai u shpreh se hetimi do të “hedhë dritë mbi akuza që vënë në pikëpyetje nderin dhe reputacionin tim”.

Pak orë pas njoftimit për hapjen e hetimit, Lang dha dorëheqjen nga posti i kreut të Institutit të Botës Arabe. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, pranoi dorëheqjen dhe njoftoi se ka nisur procesi për përzgjedhjen e pasardhësit të tij.

Nën hetim është vënë edhe vajza e tij, Caroline Lang, 64 vjeçe, e cila këtë javë dha dorëheqjen nga posti i kryetares së një sindikate franceze të producentëve të filmave. Ajo ka deklaruar se është takuar me Epstein në vitin 2012, kur ai kishte shprehur interes për të investuar në artistë të rinj.

Jack Lang ka deklaruar se është njohur me Jeffrey Epstein rreth 15 vite më parë përmes regjisorit Woody Allen dhe se nuk kishte dijeni për krimet e tij, duke e përshkruar atë si “bujar” dhe “i sjellshëm”. Sipas dosjeve të publikuara, Lang dyshohet se i është drejtuar Epstein për fonde ose favore të ndryshme, përfshirë përdorimin e makinës dhe avionit privat.

Megjithatë, dokumentet e publikuara deri më tani nuk tregojnë se Jack Lang apo vajza e tij janë të përfshirë në krimet seksuale të Jeffrey Epstein.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb