Shkrimtar e poet, Bilal Xhaferri e pa atdheun lakuriq, shumë herët. Përveçse e pa, ai edhe e pohoi, me zë të lartë e të qartë. Biri i një të ekzekutuari si ballist, ai iku nga Saranda herët, vetëm për të ndjekur në mënyrë simbolike, gjurmët e babait si antikomunist, derisa vendosi të arratiset.
Figura e shkrimtarit Bilal Xhaferri vjen e riparë nga studiuesi Bashkim Kuçuku. Përmes një libri studimor ai merr në shqyrtim krijimtarinë dhe përplasjet me pushtetin që e detyruan të arratisej. Nga origjina çame, te historia e familjes që ndërtoi shkolla, lidhjet e Bilal Xhaferrit me familjen e Hasan Tahsinit, thyerjet politike, poezitë e para e ndalimi i botimeve, Kuçuku, shpërfaq jetën e shkrimtarit. “Përndjekja e shkrimtarit Xhaferri nisi herët. Ai kishte bërë punë të zakonshme dhe kishte një temperament gjaknxehtë.
Në dosjen e tij të përndjekjes gjejmë edhe planimetrinë e shtëpisë”, thotë Kuçuku. Libri i studiuesit, sjell edhe letrën që Xhaferri i dërgoi diktatorit famëkeq, Enver Hoxha, ku flitet edhe për kritikat e Bilal Xhaferrit për romanin e Kadaresë. “Kritikat për Kadarenë ishin ne fakt kritika për sistemin, po ai bëri një devijim sepse nuk sulmonte dot pushtetin”, thotë Kuçuku, ndërsa bën me dije se përndjekja kishte nisur herët e nuk kishte lidhje me kritikat për Kadaresë, as nuk gjen lidhje mes përndjekjes dhe vetë Kadaresë.
Në libër vjen edhe momenti i arratisjes së Bilal Xhaferrit, siç edhe letra që la në kufi ku iku. Në të, ai akuzon shtetit e pushtetin, sistemin komunist dhe ata që e mbanin në këmbë në Shqipëri. Në studim vjen edhe vendosja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç edhe përfshirjen e shoqatës “Vatra” në përndjekjen e Xhaferrit, çka hedh baltë mbi historinë dhe imazhin e shoqatës që e pat nisur jetën si një organizëm që ndihmonte Shqipërinë, por u përdor nga diktatura në funksion të mbajtjes së pushtetit.
Sipas të dhënave, më se 30 ish sigurimsa e përndoqën shkrimtarin në Shqipëri e më se 20 në Amerikë, çka dëshmon një rrjet të gjerë. Xhaferri u plagos në SHBA, iu dogj zyra, çka nuk duket as aksidentale as e rastësishme. Ai nuk e pa Shqipërinë e lirë kurrë. Më vonë vdiq në spital nga një sëmundje e rëndë, ose së paku kështu rezulton nga dokumentet.
