Policia Rrugore e Durrësit ka arrestuar gjashtë persona për drejtim automjetesh në gjendje të dehur dhe për tentativë korrupsioni ndaj punonjësve të Policisë.

Sipas raportit të policisë, gjatë monitorimeve në rrugën “Petrit Llaftiu” dhe rrugën “Taulantia” u ndaluan dy automjete që kryenin manovra të rrezikshme. Dy drejtuesit, N. N. dhe H. M., tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë duke u ofruar para për të shmangur testin e alkoolit dhe arrestimin. Testi i alkoolit nxori se N. N. drejtonte automjetin me 1.62 mg/l, ndërsa H. M. me 1.57 mg/l.

Gjatë fundjavës u arrestuan gjithashtu D. M., me 1.22 mg/l, dhe D. Ç., me 2.21 mg/l, pasi u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur. Një tjetër drejtues, R. D., banues në Durrës, u arrestua për drejtim automjeti pa leje drejtimi në rrugën “Hysen Kertusha”.

Materialet hetimore janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb