NGA ERMELINDA HOXHAJ
TIRANE- Universiteti i Tiranës publikon hapat se si do të bëhet përzgjedhja e 5378 studentëve fitues për vitin akademik 2016-2017. Senati i Universitetit të Tiranës ka përcaktuar se 50% të peshës në formulën e pranimit e ka mesatarja e tri viteve të shkollës së mesme, plus mesataren e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Ndërkohë që, 50% do e ketë nota mesatare e gruplëndëve të përcaktuara si prioritare nga fakultetet përkatëse. Gazeta në tabelat bashkangjitur shkrimit publikon të detajuara lëndët preferenciale dhe kuotat për çdo program studimi që ofrohet në UT. Në bazë të të cilave maturantët mund të bëjnë përllogaritjet e pikëve që grumbullojnë.
FAKULTETI I DREJTËSISË
Për vitin akademik 2016- 2017 do të pranohen 660 studentë në vit të parë. Maturantët që do të aplikojnë në këtë fakultet, 50% të pikëve i marrin nga mesatarja e tri viteve të shkollës së mesme, plus mesataren e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Ndërkohë që, 50% do e ketë nota mesatare e gruplëndëve të përcaktuara si prioritare nga ky fakultet të cilat janë: Histori, Qytetari, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Ekonomi dhe lëndë me zgjedhje janë Sociologji, Psikologji, Filozofi.
FAKULTETI EKONOMISË
Fakulteti i Ekonomisë, në total do të ketë 1178 kuota pranimi për ciklin e parë të studimeve bachelor. Administrim biznesi dhe Financë do kenë nga 440 kuota secili program studimi. Ndërsa dega Informatikë Ekonomike do ketë 220 kuota pranimi dhe Ekonomiksi vetëm 78 kuota. Në këtë fakultet, maturantët që do të aplikojnë duhet të shikojnë lëndët preferenciale, të cilat janë katër, Ekonomia, Matematika, Fizika dhe Gjuha e Huaj. Në secilin program studimi, Ekonomia dhe Matematika kanë secila nga 15% të peshës, ndërsa dy lëndët e tjera nga 10%. Pra maturantët që mesataret e këtyre lëndëve për të tre vitet e studimit i kanë të larta kanë më shumë shanse të fitojnë të drejtën e studimit.
HISTORI FILOLOGJIA
Ky fakultet në total do të pranojë 630 studentë të vitit të parë. Në degën Gjuhë- Letërsi do pranohen 150 studentë, në Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore janë miratuar 80 kuota, te dega Gazetari 100 kuota, te Gjeografia 150 dhe te dega Histori 150 kuota pranimi. Në programet e studimit të këtij fakulteti grupi i lëndëve preferenciale është 10 dhe secila prej tyre ka nga 5% të peshës, 50 % që është totali. Grupi i lëndëve preferenciale është: Gjuhë-Shqipe dhe Letërsi; Histori; Gjeografi; Sociologji; Filozofi; Psikologji; Qytetari; Gjuhë e Huaj; Histori Arti dhe Histori Muzike.
GJUHËT E HUAJA
Për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja Senati Akademik i UT, ka miratuar 830 kuota pranimi. Anglishtja ka numrin më të lartë me 200 kuota, më pas vjen gjuha gjermane, frënge dhe italiane që kanë nga 120 kuota secila, ndërsa gjuhët e tjera kanë nga 65 kuota, rusisht, turqisht, greqisht, ndër-sa gjuha spanjolle ka 75 kuota. Grupi i lëndëve preferenciale i këtij fakulteti janë 5 dhe secila ka nga 10% të peshës: Gjuhë e huaj e parë, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi; Qytetari; Arte Gjuhë e huaj e dytë/karriere, aftësimi për jetën.
SHKENCAT E NATYRËS
Numrin më të madh të pranimeve e ka Fakulteti i Natyrës, me 1285 kuota, ku 300 kuota janë në degën Informatikë dhe 200 janë në degën Teknologji Informacioni dhe Komunikimi. Ndërsa programet e tjera, Fizikë; Biologji, Kimi Industriale e Mjedisore; Kimi dhe Teknologji Ushqimore kanë nga 100 kuota secila. Ndërsa programet e tjera, Bioteknologji, Matematikë, Fizikë, Inxhinieri Matematike dhe Informatike kanë nga 90 kuota. Në këtë fakultet janë nga 4 lëndë preferenciale, por të ndryshme në varësi të programit të studimit. Dega Informatikë ka përcaktuar si lëndë prioritare: Informatikë 20%, Matematikë 20%; Fizikë 5% dhe Biologji 5%. Kjo do të thotë se, për të rritur shansin e pranimit në këtë degë, atëherë ju duhet të keni nota të larta në këto 4 lëndë, në mënyrë që të fitoni sa më shumë pikë në renditjen përfundimtare.
SHKENCAT SOCIALE
Fakulteti i Shkencave Sociale në total do të pranojë në vit të parë 620 studentë. Programet e Studimit, Psikologji, Punë Sociale, Shkenca Politike, Administrim dhe Politika Sociale do kenë nga 110 kuota secili program. Ndërsa Filozofia dhe Sociologji nga 90 kuota. Lëndët formuese që vlerëson ky fakultet me nga 10% secilën janë: Histori, Qytetari, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Ekonomi dhe lëndë me zgjedhje janë Sociologji, Psikologji, Filozofi.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
