Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, është dënuar edhe me shtatë vjet e gjysmë burgim nga një gjykatë iraniane, bëri të ditur avokati i saj, Mostafa Nili.

Sipas tij, aktivistja 53-vjeçare e të drejtave të njeriut u dënua me gjashtë vjet burg për akuzën e “grumbullimit dhe bashkëpunimit” dhe një vit e gjysmë për “aktivitete propagandistike”, pas një vendimi të dhënë nga një gjykatë në qytetin verilindor të Mashhadit.

Mohammadi u arrestua në dhjetor gjatë një ceremonie përkujtimore, ku autoritetet iraniane e akuzuan për bërjen e “vërejtjeve provokuese”. Familjarët kanë deklaruar se ajo u dërgua në spital pasi u rrah gjatë arrestimit.

Avokati Nili shtoi se asaj i është ndaluar largimi nga vendi për dy vjet dhe është dënuar me dy vjet mërgim në rajonin lindor Khusf. Fondacioni Narges e cilësoi seancën gjyqësore si një “mashtrim” dhe njoftoi se Mohammadi ka nisur grevë urie që prej 2 shkurtit, ndërsa për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore ajo është shtruar përkohësisht në spital.

Bashkëshorti i saj, Taghi Rahmani, e përshkroi dënimin si “mizor dhe jashtëzakonisht të padrejtë”, duke theksuar se Mohammadi refuzoi të mbrohej në gjykatë, pasi sipas saj procesi nuk kishte legjitimitet. Ai u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të reagojnë kundër vendimit.

Mohammadi, e cila fitoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023 për aktivizmin e saj kundër shtypjes së grave në Iran, ka kaluar tashmë më shumë se 10 vjet në burg. Sipas Fondacionit Narges, dënimi i fundit e çon totalin e viteve të burgimit të urdhëruara ndaj saj në 44 vjet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb