Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) deklaroi se dy burra të dyshuar për tentativën e vrasjes së gjeneralit rus, Vladimir Alekseev kanë pohuar se urdhrin për krimin në fjalë e kishin marrë nga shërbimi i inteligjencës ukrainase (SBU).

Ukraina ka mohuar çdo përfshirje në atentatin ndaj Alekseev të premten. Gjenerallejtënant Vladimir Alekseev, zëvendësdrejtor i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU), u qëllua në një pallat në Moskë. Ai iu nënshtrua një operacioni pas sulmit dhe tani ka rifituar vetëdijen.
Moska tha se i dyshuari, një shtetas rus i lindur në Ukrainë i quajtur Lyubomir Korba, po merret në pyetje pasi u ekstradua në Rusi nga Dubai. Një bashkëpunëtor i dyshuar, Viktor Vasin, po merret gjithashtu në pyetje.

Në një deklaratë, FSB tha se si Korba ashtu edhe Vasin “pranuan fajin” dhe dhanë detaje për sulmin e tyre, të cilin ata thanë se “e kryen në emër të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës”. FSB nuk dha asnjë provë që Reuters mund ta verifikonte menjëherë. Të dy burrat nuk mund të kontaktoheshin pasi ishin në paraburgim në Rusi. SBU nuk ishte menjëherë në dispozicion për koment mbi deklaratën e FSB-së. Sipas FSB-së, Korba u rekrutua nga SBU-ja në gusht 2025 në Ternopil, në Ukrainën perëndimore. Ai u trajnua në Kiev dhe paguhej çdo muaj me kriptomonedhë. Për vrasjen e Alekseyev, SBU-ja i kishte premtuar Korbës 30,000 dollarë, sipas FSB-së.

Sipas FSB-së, shërbimet e inteligjencës polake ishin të përfshira në rekrutimin e autorit të krimit. Alekseyev është zëvendësshefi i parë i GRU-së, gjenerali Igor Kostyukov. Ky i fundit udhëhoqi delegacionin rus gjatë bisedimeve të fundit midis Moskës dhe Kievit në prani të amerikanëve në Abu Dhabi mbi një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb