Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla u cilësua fajtor për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim dhe dënua me 1 vit burgim nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.

Për shkak se vendimi është i formës së prerë, Memolla duhet ta vuajë dënimin ne qelitë e burgut, ndaj kësisoj bashkia Rrogozhinë mbetet pa kryetar, duke iu hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Si dënim plotësues për të, gjykata firmosi t’i heqë Memollës të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Në qeli do të shkojnë edhe dy të pandehurit e tjerë, Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamanin, të cilët  u cilësuan fajtor për korrupsion në zgjedhje dhe falsifikim të dokumenteve dhe dënuan secili me nga 1 vit burgim.

I vetmi që shpëton nga qelia është i pandehuri Isuf Tosku, për të cilin mbeti në fuqi dënimin me 1 vit e 4 muaj shërbim prove.

SPAK i përfundoi hetimet për Memollën dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale ndaj tij në 2023.

Ai u akuzua nga Prokuroria e Posaçme se kishte ndikuar te elektricisti Blerim Xhamani, me qëllim që ky i fundit të mos i ndërpriste energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që gruaja të votonte në favor të tij ne zgjedhjet e pjesshme lokale me 6 mars 2022 kur ai garoi nën siglën e partisë Socialiste.

SPAK thotë se Memolla ka komunikuar me Xhamanin duke premtuar punësime në Bashkinë Rrogozhina, për persona që do të votonin për të.

Ndërsa elektricisti Xhamami akuzohet se bashkë me Isuf Toskun, falsifikuan dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke pretenduar se ia kishin ndërprerë energjinë, në një kohë që nuk e kishin kryer një veprim të tillë. Ndriçim Tafxhafa sipas SPAK premtoi një shtetaseje shlyerjen e detyrimeve ndaj OSHEE dhe atyre për strehim po në këmbim të votës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb