Bashkimi Europian ka dalë me një deklaratë të fortë lidhur me mbrojtjen që po i bën mazhoranca Belinda Ballukut e pandehur e SPAK për shkelje të barazisë në tendera, ndërsa Prokuroria e Posaçme kërkon edhe autorizimin për arrestimin e saj.

Përmes një reagimi zyrtar për BalkanWeb, Komisioni Europian i kërkon kuvendit “të adresojë pa vonesë heqjen e imunitetit të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku”, e cila është pezulluar nga detyra, masë e cila u la në fuqi edhe nga Gjykata Kushtetuese. Kërkesa për Ballukun qëndron në sirtarët e Kuvendit që prej datës 16 dhjetor, ndërsa shumica parlamentare ka refuzuar ta adresojë, ndërsa kryeministri Edi Rama paralajmëron në disa deklarata radhazi se do të vijojë përballjen ligjore.

“Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e KE.

Reagimi i KE për BalkanWeb

Është përgjegjësi e Parlamentit të Shqipërisë të adresojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij.

Luftimi efektiv i korrupsionit është me rëndësi të madhe për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, gjë që është pritja e qytetarëve të saj.

BE-ja i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri dhe punës së bërë në kuadër të reformës në drejtësi.

Komisioni Evropian monitoron dhe raporton mbi progresin në këtë fushë në kontekstin e negociatave të pranimit në BE.

Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të mbështesim konsolidimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit evropian të vendit.

Në raportin e tij të vitit 2025 për Shqipërinë, Komisioni vuri në dukje se ndërsa qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet në rritje nga zyrtarët publikë ose politikanët për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të panevojshëm mbi sistemin gjyqësor mbeten një çështje shqetësuese serioze.

Komisioni rekomandoi më tej që Shqipëria të forcojë llogaridhënien duke zvogëluar ndërhyrjen politike në shërbimet gjyqësore dhe të prokurorisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb