Bylisi ka zbritur në fushë për përgatitjet e ndeshjes ndaj Vllaznisë, që do të luhet nesër në Ballsh dhe vlen për takimin e parë çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Pas disfatës në kampionat ndaj të kuqve, trajneri Mirel Josa dhe stafi kanë kërkuar angazhim maksimal dhe përqendrim total te Kupa, e cila mbetet një nga objektivat kryesorë të skuadrës mallakastriote, me synimin jo vetëm fitoren në këtë duel, por edhe kalimin e turit.

Një pjesë e skuadrës zhvilloi dje stërvitje të plotë, ndërsa lojtarë si Beqaj, Pjeshka, Ribeiro, Kampula, Charuetej, Buraneli, Akibu dhe Hodo morën minuta me ekipin B në Kategorinë e Dytë, i cili fitoi 5- 0 ndaj Këlcyrës. Përballë shkodranëve, Bylisi pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë, ku do të përfshihen edhe lojtarët portugezë të afruar në ditët e fundit të merkatos. Në Ballsh, gjatë merkatos dimërore janë afruar rreth 15 lojtarë, shumica për ekipin e Superiores, por edhe për skuadrën B.

Kjo javë është mjaft e ngjeshur për mallakastriotët, pasi pas sfidës me Vllazninë, të shtunën i pret edhe ndeshja e kampionatit ndaj Teutës në Durrës. Ndaj Partizanit, Josa testoi disa nga afrimet e janarit, ndërsa të tjerë u lanë jashtë për t’u përgatitur më mirë fizikisht. Bruno dhe Kamara nuk janë rrezikuar sërish dhe pritet të jenë gati për ndeshjen ndaj Vllaznisë në Kupë. Me energji të ruajtur dhe ambicie për fitore, Bylisi po përgatit në mënyrën më të mirë sfidën me shkodranët, ku synimi është triumfi në stadiumin “Adush Muça”.

Mallakastriotët i kanë shprehur ambiciet për Kupën që në fillim të sezonit, një trofe ku finalen e kanë arritur vetëm në vitin 2012. Ekipit nuk i mungon cilësia dhe potenciali, ndaj Bylisi synon të shfrytëzojë faktorin fushë për të hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Mungesa e vetme do të jetë mesfushori Henri Sulovari, i cili u ndëshkua me karton të kuq në turin e kaluar ndaj Laçit. Vendin e tij pritet ta zëvendësojë një nga afrimet e janarit, ku Josa ka në dispozicion lojtarë me eksperiencë dhe cilësi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb