Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka reaguar me tone të ashpra ndaj qëndrimeve të fundit të kryeministrit Edi Rama dhe vendimeve të marra në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke i cilësuar ato si shenja të dëshpërimit politik dhe përpjekje për të penguar proceset e drejtësisë.
Në një deklaratë publike, Alizoti u shpreh se kryeministri po vazhdon, sipas tij, një përballje të gabuar me institucionet e drejtësisë, duke kërcënuar SPAK-un dhe duke sinjalizuar mbrojtje politike për zyrtarë të përfshirë në hetime. Sipas deputetit të PD-së, këto veprime përbëjnë një rrezik serioz për procesin e integrimit europian të vendit.
Alizoti deklaroi se përpjekjet për të ndërhyrë në drejtësi apo për të ndryshuar ligje me qëllim mbrojtjen e individëve të veçantë janë të vonuara dhe të pafrytshme. Ai shtoi se hetimet e deritanishme kanë prodhuar, sipas tij, prova që nuk mund të zhbëhen, pavarësisht zhvillimeve politike.
Deputeti i PD-së kritikoi gjithashtu mazhorancën parlamentare, duke theksuar se përdorimi i shumicës për të bllokuar proceset ligjore apo për të mbrojtur zyrtarë të akuzuar cenon besimin e qytetarëve dhe barazon, sipas tij, përgjegjësinë politike me atë institucionale.
Në reagimin e tij, Alizoti theksoi se çështja nuk ka të bëjë vetëm me përplasjen politike, por me të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ai paralajmëroi se çdo veprim që dëmton luftën kundër korrupsionit dhe pengon integrimin në Bashkimin Europian do të ketë pasoja të rënda për vendin.
Në përfundim, deputeti i Partisë Demokratike u shpreh se, sipas tij, Shqipëria e ka zgjedhur rrugën europiane prej dekadash dhe se ky proces nuk mund të ndalet nga interesat e një qeverie apo individi të vetëm. Ai i bëri thirrje kryeministrit që të marrë përgjegjësi politike, duke theksuar se situata aktuale përfaqëson, sipas tij, një moment vendimtar për demokracinë dhe institucionet në vend.
Reagimi i Tomor Alizotit:
Ka një shprehje të vjetër: kur je në gropë, mos vazhdo të gërmosh.
Por njeriu i zullumit, që ka vjedhur postin e kryeministrit, është zhytur deri në qafë dhe po përpiqet të marrë me vete gjithë vendin. Shenja e parë e sëmundjes që kap elitat e korruptuara është mohimi. Mbledhja e sotme e grupit të PS dhe vendimet e saj janë forma më e pastër e dëshpërimit politik.
Në tri pika, Rama bën tri gjëra që një njeri i lirë nuk do t’i bënte kurrë: kërcënon SPAK-un (me SHBA-në dhe BE-në që e mbështesin hapur prokurorinë speciale), përpiqet t’i japë sinjal Ballukut se nuk do ta shesë dhe kërcënon gjithë Shqipërinë me bllokimin e integrimit europian. Por është jashtë kohe. Tragjikisht jashtë kohe.
Të gjitha këto ndërhyrje për të shpëtuar milionat e vjedhura do të kishin kuptim para gjashtë muajsh. Ndoshta edhe para një viti. Sot janë të kota. Ti dhe ata që rrinë pranë teje nuk kuptoni se, edhe sikur ta shkrini SPAK-un sot, dosja që është hetuar aq sa është hetuar tashmë të ka nxjerrë zbuluar ty bashkë me Ballukun. Dosja tjetër të ka zbuluar fare fare. Mesazhet tuaja janë aty. Tenderat e fituar prej tyre janë aty. Janë zbuluar. Kuptoje apo jo: je i kapur, Edi Rama.
Pika e dytë, me të cilën kërkon të mbrosh Ballukun përmes kartonëve të “idiotëve të dobishëm” që ke zgjedhur deputetë, është edhe më thellë dëshpëruese. Sepse Balluku, si ajo edhe ti e dini, nuk mbrohet më. Por ti përpiqesh të barazosh gjithë partinë me vjedhjen. Dhe në fakt ke të drejtë: ju jeni të gjithë soj hajdutësh. Por dëshpërimi yt i vërtetë është se mendon se edhe votuesit e tu janë hajdutë. Kjo është simptoma klasike e mendjes së kalbur nga pushteti: kur e projekton zullumin tënd mbi gjithë shoqërinë.
Jo. Ti dhe shpura jote jeni hajdutë. Votuesit tuaj mund të jenë të mashtruar, të varfër, edhe ideologjikisht të verbuar.
Dhe kjo është arsyeja pse po të ikën toka nën këmbë.
Pika e tretë është më e rënda, sepse nuk ka më të bëjë me ty dhe bandën tënde, por me Shqipërinë. Ti mendon se me forcën e kartonave, me vota të vjedhura, me paratë e korrupsionit mund të bëhesh barrikadë për integrimin europian të vendit. Ky është refleksi i fundit i çdo regjimi që po bie: të marrë peng të ardhmen e kombit për të shpëtuar lëkurën e vet.
Por vjedhja është mëkat i dënuar që nga koha e faraonëve. Nuk ka ligj që mund ta legalizojë. Nuk ka reformë që mund ta pastrojë. Çdo kërcënim që bën sot, çdo hap që merr nesër që dëmton integrimin europian të Shqipërisë, vetëm sa e thellon gropën ku je zhytur vetë. Shqipëria është pjesë e Europës dhe e ka zgjedhur këtë rrugë që në vitin 1992, kur ne të shembëm shtëpinë e parë. Nuk e ndal dot këtë proces. Ashtu siç nuk e ndali dot soji yt para tridhjetë vitesh. Ti e di këtë. E dinë edhe ata që i telefonon në anglisht. E dinë edhe ata që të refuzojnë premtimet.
Nesër do ta shohësh në mes të Tiranës pse Shqipëria është Europë. Se shqiptarët nuk janë hajdutë dhe nuk i duan zullumqarët.
Të parët tanë paskan pasur të drejtë: vetëm liria është zgjidhja. Dhe ju, që nga viti 1945, nuk keni qenë asnjëherë të lirë. Njëherë e morët peng vendin me dënime, internime dhe qeverisje me gjak, sepse ishit peng i krimeve për pushtet. Sot tentoni ta rimerrni peng vendin me vjedhje dhe korrupsion, sepse jeni peng i zullumeve tuaja.
Por kjo është e kotë. Janë vite të tjera. Janë kohë të tjera. Sot e ardhmja e Shqipërisë është përcaktuar.
Rama, kjo nuk është më politikë, është fund regjimi. Zgjidh të largohesh, ose do të rrëzohesh në gropën e llumit që ti vetë ke gërmuar.
