Drejtuesi politik i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, zhvilloi një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Kanada, ku u diskutuan zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe situata aktuale në Tiranë.
Gjatë bashkëbisedimit me bashkëkombasit, Këlliçi u ndal te ajo që e cilësoi si mbrojtje e hapur e korrupsionit nga ana e Kryeministrit, duke theksuar se qeveria po pengon hetimet dhe drejtësinë, ndërkohë që mban në detyrë zëvendëskryeministren, e pandehur për abuzime në disa procedura me vlerë mbi 1.1 miliardë euro.
Ai u shpreh se edhe për shqiptarët që jetojnë në Kanada është e pabesueshme mënyra se si, sipas tij, pushteti është i lidhur me krimin, duke përmendur emërimin e një koordinatori për krimin dhe bandat, si dhe luksin e shfrenuar të zyrtarëve të lartë.
Mesazhi i plotë
Me bashkëkombasit tanë në Kanada, duke ndarë shqetësimin për zhvillimet e fundit në Tiranë.
Eshtë e pabesueshme për këdo që Kryeministri të mbrojë korrupsionin haptazi, të bëhet pengesë për hetimin dhe drejtësinë dhe të mbajë deri në fund mbi ligjin zv.Kryeministren, zyrtarisht e pandehur për abuzimin deri më tani me 11 procedura, me 1.1 miliardë euro.
Eshtë e pabesueshme këtu në Kanada se si Kryeministri ka caktuar një kordinator për krimin e bandat dhe merr prej tij verën 33 mijë euro shishja.
Eshtë kjo arsyeja që diaspora jonë atje po rritet dhe nuk po ndodh e kundërta që ata të kthehen në atdhe. Në rastin e Kanadasë ndodh rrjedhja e trurit, pasi vijnë specialistë dhe të rinj të arsimuar apo profesionistë të shkëlqyer.
Në këtë takim, gjeta dy miq të mitë që kishin mbërritur muajin e fundit.
Të dy të shkolluar dhe profesionistë të zotët e opozitarë ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Të gjithë janë në një mendje se farsa në zgjedhjet e fundit, nuk u dha në fakt atyre të drejtën e përfaqësimit. Përkundrazi, shërbeu si fasadë!
Padrejtësia që po ndodh çdo ditë në Shqipëri, qeverisja e keqe, lidhja e pushtetit me krimin, janë revoltuese.
Ndaj bashkëkombasit tanë janë me ne, në rezistencën tonë ndaj të keqes.
Dhe po bëjnë shumë për të ndërgjegjësuar të afërmit e tyre që të jenë pjesë e protestës së 10 shkurtit.
Nesër në orën 17:00, bashkohemi me energji, me pasion, me dashuri për vendin tonë, para zyrës së krimit dhe korrupsionit.
Falenderime pafund degës së PD në Canada, kryetarit tonë Ilirjan Proko, kryesisë dhe anëtarëve të cilët organizuan këtë takim fantastik dhe më bënë të ndjehem si në shtëpi 🙏🏻
