Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se mazhoranca do të ndërmarrë ndryshime ligjore lidhur me çështjen e pezullimit nga detyra të zyrtarëve publikë që janë nën hetim penal. Rama nuk përmendi konkretisht asnjë nen apo dispozitë të veçantë, por foli në mënyrë të përgjithshme për nevojën e ndërhyrjeve ligjore.
Nga analiza e kuadrit aktual ligjor, çështja duket se lidhet me nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, që flet për “pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Sipas këtij neni, me vendim gjykate, të pandehurit mund t’i ndalohet përkohësisht, plotësisht ose pjesërisht, ushtrimi i veprimtarisë që lidhet me detyrën apo shërbimin publik që mban.

Por në pikën 2 të tij, neni 242 përcakton se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, siç janë deputetët dhe kryetarët e bashkive. Kjo do të thotë se përjashtimi ligjor vlen vetëm për funksionarët që burojnë drejtpërdrejt nga vota.
Është pikërisht ky nen ku, me shumë gjasë, mazhoranca mund të ndërhyjë për ta ndryshuar, duke përfshirë në pikën 2, përveç personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, edhe zyrtarët e lartë të emëruar (kryesisht ministrat e qeverisë), ç’ka do të zgjeronte kategorinë që përjashtohet nga masa e pezullimit. Për të realizuar këtë ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale mazhorancës i nevojitet shumicë e cilësuar në Kuvend.
Ndryshime të tilla mund të prekin parimin e pavarësisë së drejtësisë dhe balancën mes pushteteve, ndërkohë që SPAK po heton mjaft zyrtarë të lartë të emëruar.
