Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe debatet rreth drejtësisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përpjekje të reja për kapjen e sistemit të drejtësisë dhe bllokimin e integrimit europian të vendit.

Në reagimin e tij, Meta e cilëson Ramën si “rrëmbyes të Reformës në Drejtësi”, duke renditur një sërë veprimesh që, sipas tij, kanë dëmtuar rëndë shtetin e së drejtës. Ai rikujton zgjedhjen e Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme në dhjetor të vitit 2017, të cilën e cilëson antikushtetuese, si dhe periudhën disa vjeçare pa Gjykatë Kushtetuese.

“Sot rrëmbyesi i Reformës në Drejtësi vendosi të kapë sërish drejtësinë, këtë herë përmes ndryshimit të ligjeve në mënyrë të njëanshme, pas dështimit të kontrollit parlamentar të SPAK-ut,” shkruan Meta.

Sipas tij, kapja e drejtësisë është një proces i vazhdueshëm, që ka përfshirë edhe manipulimin e procesit të vettingut dhe ndikimin mbi institucione kyçe të sistemit të drejtësisë. Meta thekson se këto veprime kanë pasoja të drejtpërdrejta edhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Ky nuk është recidivist vetëm për kapjen e drejtësisë, por edhe për bllokimin e integrimit europian,” shprehet Meta, duke kujtuar, sipas tij, injorimin e apelit të Bundestagut në maj të vitit 2019 për të shmangur zgjedhjet njëpartiake, çka solli mosçeljen e negociatave në tetor të po atij viti.

Në postimin e tij, Meta thekson se situata aktuale përbën një moment vendimtar përballjeje politike dhe institucionale.

“Tani ka ardhur dita ‘O Sot, O Kurrë!’ për ta vendosur recidivistin përballë llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pengmarrjes së drejtësisë dhe bllokimit të integrimit europian,” deklaron ai.

Në përfundim, Meta e cilëson kryeministrin si “armikun më të betuar të drejtësisë dhe integrimit”, duke shtuar se frika nga drejtësia dhe nga vota e lirë e qytetarëve, sipas tij, është arsyeja kryesore e veprimeve të mazhorancës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb