Opozita proteston para Kryeministrisë, e dyta radhazi për këtë vit, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut, pas skandaleve të kësaj të fundit me tenderat.

Opozita akuzon Ramën dhe zëvendësen e tij për korrupsion dhe abuzim me pushtetin, ndërsa SPAK ka marrë të pandehur dhe kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut e cila edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, është e pezulluar nga detyra.

Organizatorët e kanë konsideruar protestën si vendimtare dhe vjen në një moment që ata e cilësojnë si “kilometrin e fundit”.

Pas fjalimit të Berishës, protestuesit hodhën bomba molotov dhe lëshuan fishekzjarre drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia u përgjigj me ujë me presion.

Pas Kryeministrisë, protestuesit marshuan drejt Parlamentit, ku sërish hodhën molotov dhe fishekzjarre drejt kordonit të policisë. Nga ana e saj, policia u përgjigj sërish me ujë me presion, por duke përdorur edhe gazin lotsjellës për herë të parë në protestën e sotme.

Kujtojmë që në protestën e 24 janarit, mbështetësit e opozitës hodhën gjithashtu fishekzjarre e bomba molotov drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa më pas u mblodhën edhe përpara Parlamentit, ku u shënuan edhe përplasje me policinë.

1300 forca policore ndodhen në terren për mbarëvajtjen e protestës së sotme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb