Ernest Muçi po kalon periudhën më të mirë të karrierës në radhët e Trabzonspor, por me fatin e tij që ndryshoi në mënyrë drastike në futbollin turk vetëm në dy muajt e fundit.
Ai kishte kaluar në radhët e Trabzonsporit në huazim nga Beshiktashi, por në javët e para, nuk kishte shfaqur nivelin që kërkohej prej sulmuesit shqiptar, duke përfunduar edhe në stolin e rezervave me vazhdimësi. Gjithçka ndryshoi me ndeshjen e famshme të 24 nëntorit ndaj Bashakshehir ku ai e nisi nga stoli, për të shënuar në fund 2 gola që i dhanë suksesin 4-3 ekipit të tij.
Që nga moment, Muçi ishte thuajse i pandalshëm dhe nisi të shënonte me një rregullsi të admirueshme në kampionat dhe Kupë, duke çuar bilancin brenda dy muajsh e gjysmë në 12 gola e 4 asiste. Sipas “Taka Gazete”, kjo ka bërë që të ndryshohej plotësisht perceptimi në klub për futbollistin, pasi deri në ato momente, te Trabzonspori po mendonin largimin e tij ën janar, duke e parë si një element që nuk po ndihmonte skuadrën.
Megjithatë, tani të gjithë në klub janë të bindur te aftësitë e Muçit dhe drejtuesit e skuadrës pritet të aktivizojnë klauzolën për blerjen e kartonit të tij nga Beshiktashi.
