Autoritetet në Qarkun Pima, në SHBA, kanë arrestuar një person në lidhje me rrëmbimin e Nancy Guthrie, nënës 84-vjeçare të prezantueses së NBC-së, Savannah Guthrie.
Sipas raportimit të New York Post, i dyshuari u ndalua në zonën e Rio Rico-s nga oficerët e policisë që po e ndiqnin. Ndërkohë, TMZ raporton se personi i arrestuar nuk duket të ketë ndonjë lidhje të njohur me familjen Guthrie.
Shefi i FBI-së deklaroi se hetimet kanë shënuar përparim të rëndësishëm ditët e fundit. “Pa hyrë në shumë detaje, do të them se kemi bërë përparim të konsiderueshëm në 36-48 orët e fundit falë aftësive teknike të FBI-së dhe drejtuesve tanë, dhe besoj se kemi një person me interes në dispozicion”, tha ai.
Arrestimi u bë vetëm disa orë pasi FBI publikoi pamje video dhe fotografi nga kamera e sigurisë në shtëpinë e Nancy Guthrie, të regjistruara ditën e zhdukjes së saj.
Pamjet tregojnë një person të armatosur duke ndërhyrë në kamerën e derës së përparme të banesës së 84-vjeçares. Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur detaje të tjera mbi motivin apo rrethanat e ngjarjes.
