Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi në një deklaratë për mediat ka dënuar dhunën e përdorur ndaj protestuesve mbrëmjen e djeshme, ndërsa akuzon policinë si e kapur nga regjimi.

Tedi Blushi gjithashtu theksoi se Partia e Lirisë kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve të arrestuar dhe sipas tij të rrëmbyer.

“Në emër të Partisë së Lirisë shpreh mirënjohjen ndaj të gjithë shqiptarëve që mbrëmë tronditën nga themelet narkoshtetin. Zëri i tyre ishte zëri i një populli që është i vendosur dhe i gatshëm të mbrojë me çdo çmim të drejtat e tij”, tha ai.

 

Fjala e plotë:

Protesta madhështore, paqësore dhe qytetare e mijëra shqiptarëve nga çdo cep i vendit ishte një shpërthim dinjiteti kombëtar dhe një akt i hapur mosbindjeje ndaj një regjimi narko-mafioz që ka rrëmbyer shtetin, ligjin dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ajo tregoi se shumica e popullit nuk ka frikë, nuk hesht dhe nuk pranon më të qeveriset me dhunë, terror dhe grabitje.
Dënojmë me forcën më të madhe dhunën kafshërore të ushtruar ndaj protestuesve paqësorë nga banda të veshura me uniforma policie dhe elementë të paidentifikuar që vepruan si mercenarë të pushtetit, duke rrahur qytetarë, duke i tërhequr zvarrë, duke rrëmbyer të mitur dhe duke shndërruar sheshet e protestës në skena terrori shtetëror, të pasqyruara gjerësisht edhë në mediat prestigjoze ndërkombëtare.
Dënojmë agresionin kriminal ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Bledion Nallbati që përfundoi në spital si pasojë e dhunës së narkopolicisë, përdorimin e gazit lotsjellës dhe lëndëve toksike ndaj gazetarëve, reporterëve dhe kameramanëve, dhunën brutale ndaj qytetarëve që nuk përbënin asnjë rrezik dhe krimin e rëndë të përdorimit të plumbave të gomës kundër një proteste paqësore, akte këto që përbëjnë shkelje flagrante të Kushtetutës dhe çdo norme ndërkombëtare.
Narkopolicia që u soll si bishë e tërbuar kundër qytetarëve dhe mediave nuk e shpëton dot Kryetarin e Organizatës Mafioze dhe as pushtetin e tij të kalbur, sepse çdo grusht, çdo gaz, çdo plumb gome po e zhvesh këtë regjim nga çdo maskë dhe po e çon drejt llogaridhënies së pashmangshme, një për një, përpara ligjit dhe përpara popullit.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë protestuesve paqësorë të arrestuar dhe të rrëmbyer në mënyrë kriminale, sepse vendi i qytetarëve të lirë është në sheshe dhe jo në qelitë e frikës, ndërsa vendi i vërtetë i këtij pushteti është në bankën e të akuzuarve.
Shprehim mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për mijëra shqiptarë patriotë që me guxim, dinjitet dhe vetëdije qytetare i dhanë forcë revoltës popullore dhe e tronditën nga themelet Narkoshtetin, duke ringjallur shpresën për liri, demokraci, shtet ligjor dhe një të ardhme të denjë për çdo shqiptar, sepse zëri i tyre është zëri i një Shqipërie që nuk dorëzohet, i një populli të zgjuar, të vendosur dhe të gatshëm të mbrojë me çdo çmim lirinë dhe sovranitetin e vet.
Kjo protestë ishte një akt i pastër patriotizmi dhe një leksion i fuqishëm demokracie që i tregoi Kreut të Organizatës, Edi Rama dhe gjithë çetës së tij kleptokrate dhe mafioze se vendi i tyre nuk është në zyrat e shtetit, por përpara drejtësisë, dhe se zgjidhja e vetme politike, urgjente dhe e pashmangshme është largimi i këtij regjimi, krijimi i Qeverisë Teknike dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe të ndershme.
Terrori i egër policor, rrëmbimet mafioze, arrestimet kriminale të qytetarëve paqësorë dhe të miturve, helmimi me gaz toksik i popullit dhe sidomos i gazetarëve provuan frikën dhe panikun e thellë të një pushteti në rënie që ka humbur çdo legjitimitet moral, politik dhe shoqëror dhe që sot fshihet pas dhunës sepse nuk ka më as argumente dhe as mbështetje.
Partia e Lirisë i paralajmëron hapur narkodrejtorët, narkokomisarët dhe narkopolicët, shërbëtorë të bindur të krimit, se do të mbajnë përgjegjësi personale për çdo akt dhune, terrori dhe shkeljeje të ligjit, veçanërisht për krimet ndaj të miturve, qytetarëve të pafajshëm, gazetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës, sepse asnjë urdhër i paligjshëm nuk i shpëton dot nga përgjegjësia penale.
U bëjmë thirrje institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare të mos heshtin përballë dhunës shtetërore dhe të reagojnë fuqishëm për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë dhe të mediave të lira, sepse ajo që po ndodh në Shqipëri është një alarm demokratik për gjithë Europën.
Revolta dhe zemërata popullore kanë hyrë në një fazë të re përballjeje dhe do të përshkallëzohen në forma edhe më të fuqishme, më masive dhe më të vendosura deri në shkërmoqjen përfundimtare të këtij regjimi të kalbur narko-mafioz nën këmbët e sovranit.
As dhuna kafshërore, as shkopinjtë e gomës, as gazi lotsjellës, as uji me pipër, as plumbat e gomës dhe as burgosjet politike nuk do mundet kurrë të mposhtin një popull të tërë të vendosur për çdo sakrificë e për të paguar çdo çmim për lirinë e Shqipërisë.
Misioni ynë kombëtar është i qartë dhe i panegociueshëm, a vdekje a liri, dhe kjo betejë nuk do të ndalet deri në triumfin përfundimtar të demokracisë, shtetit ligjor dhe lirisë.
Fitorja u përket vetëm guximtarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: