Kategoria e Parë po arrin në “pikën e vlimit”, pasi tani hyjmë në stadin ku gabimet bëhen të pariparueshme për objektivat. Java e 22-të e Kategorisë së Parë, që do të zhvillohet më 14 dhe 15 shkurt, nuk është thjesht mbyllja e fazës së dytë të sezonit 2025-2026, por një javë kyçe që përcakton drejtpërdrejt rrugëtimin e skuadrave në fazën e tretë.

Sipas skemës së paracaktuar nga FSHF, kalendari i fazës së tretë varet plotësisht nga renditja përfundimtare e dy fazave të para, çka i jep kësaj jave një peshë të jashtëzakonshme sportive. Formula aktuale parashikon që gjashtë skuadrat e para të renditjes të përfitojnë një avantazh të dukshëm kalendarik, duke zhvilluar shtatë ndeshje në shtëpi, ndërsa vetëm gjashtë në transfertë. Në krahun tjetër, gjashtë skuadrat e fundit, të cilat njëkohësisht janë edhe më të rrezikuarat për mbijetesë, nisin fazën e tretë të penalizuara, pasi do të luajnë më shumë ndeshje jashtë dhe, për më tepër, përballen që në fillim me ekipet pretendente për ngjitje në Superiore. Kjo skemë ka nxitur debat, sidomos duke parë se diferencat në renditje janë të vogla dhe shumë pozicione mbeten të hapura përpara javës së fundit të fazës së dytë.

Me Skënderbeun dhe Laçin në krye, por me një mesrenditje ku çdo rezultat mund të ndryshojë renditjen përfundimtare, java 22 kthehet në një “ndeshje brenda ndeshjes”, ku çdo gol vlen jo vetëm për pikët, por edhe për kalendarin e ardhshëm. Një tjetër element problematik lidhet me organizimin e kësaj jave vendimtare. Axhenda i ka ndarë gjashtë ndeshjet në dy ditë të ndryshme, të shtunën dhe të dielën. Duke pasur parasysh se kjo javë përcakton renditjen finale të dy fazave të para dhe, rrjedhimisht, skemën e fazës së tretë, zgjidhja më e drejtë sportive do të ishte zhvillimi i të gjitha ndeshjeve në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin orar, për të shmangur çdo ndikim indirekt nga rezultatet paraprake. Renditja aktuale tregon qartë se lufta është e hapur si në krye, ashtu edhe në fundin e tabelës. Nga njëra anë janë skuadrat që synojnë biletën për Superiore, ndërsa nga ana tjetër ekipet që kërkojnë mbijetesën, por që rrezikojnë të hyjnë në fazën e tretë të penalizuara nga vetë skema e garës.

Kjo krijon një pabarazi reale, ku jo vetëm forca sportive, por edhe pozicionimi matematik pas dy fazave të para, luan rol vendimtar. Skema e fazës së tretë, e cila tashmë është e përcaktuar në detaje, do të nisë menjëherë pas kësaj jave dhe do të shërbejë si akti final i sezonit. Por pyetja që lind është e qartë: A garanton kjo formulë drejtësi sportive për të gjitha skuadrat, apo favorizon vetëm renditjen ekzistuese? Java e 22-të do të japë përgjigjet e para. Ajo nuk do të vendosë vetëm klasifikimin, por edhe fatin e shumë skuadrave në një fazë të tretë që pritet të jetë vendimtare, e fortë dhe njëkohësisht e debatueshme.

 skema e fazes se trete, k1

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb