Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Emri Vata, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka komentuar zhvillimet gjatë protestës së djeshme të Partisë Demokratike, duke u ndalur te përdorimi i mjeteve për kontrollin e turmës dhe veprimet e policisë.
Vata u shpreh se protesta është një e drejtë legjitime në një vend demokratik, por theksoi se përdorimi i agjentëve kimikë dhe mjeteve të kontrollit të turmave duhet të bëhet vetëm sipas kushteve teknike. Sipas tij, këto janë lëndë jo vdekjeprurëse, por mund të shkaktojnë dëmtime serioze nëse përdoren në mënyrë të gabuar ose nga afër.
Ai theksoi se gazi lotsjellës nuk duhet të hidhet në drejtim të turmës apo pranë personave, veçanërisht kur në protestë ka gra, fëmijë apo persona me probleme shëndetësore. Sipas Vatës, këto lëndë duhet të përdoren në distancë dhe pranë objekteve që mund të jenë objekt sulmi, dhe jo drejtpërdrejt mbi protestuesit.
Ish-drejtuesi i policisë deklaroi gjithashtu se përdorimi i gazit jashtë afatit është i ndaluar dhe i rrezikshëm, duke shtuar se në këto raste ai mund të kthehet në substancë helmuese. Sipas tij, protesta e djeshme nuk paraqiste arsye për përdorimin e këtyre lëndëve.
Sa i përket veprimeve të policisë, përfshirë shoqërimet dhe ndërhyrjet ndaj deputetëve, Vata i cilësoi ato si provokuese nga këndvështrimi i tij. Ai shtoi se përdorimi i gazit lotsjellës apo agjentëve kimikë në ambiente të mbyllura, si zyra politike, lokale apo pallate banimi, është i papranueshëm.
Sipas Vatës, nga situata janë prekur edhe banorët përreth zonës së protestës dhe kalimtarë që nuk kishin lidhje me tubimin. Ai theksoi se reagimi ndaj mjeteve piroteknike të përdorura nga protestuesit nuk duhet të jetë, sipas tij, joproporcionaL.
