Ish-deputeti Ervin Salianji, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te situata brenda opozitës, raporti me mazhorancën dhe roli i SPAK në diskursin politik.
Salianji u shpreh se, sipas tij, kryeministri Edi Rama ka interes që Partia Demokratike të mbetet në gjendjen aktuale, pasi kjo, sipas tij, e favorizon politikisht. Ai tha se në çdo proces zgjedhor opozita ka akuzuar për manipulim zgjedhjesh, ndërsa lidershipi aktual, sipas tij, ka reaguar duke u ankuar për procesin.
“Edi Ramës i intereson që PD të jetë kështu siç është. Nuk ka interes më të madh sepse në çdo palë zgjedhje e betejë ata thonë se ai ua vjedh e u bën hile dhe lidershipi aktual qan pasi Rama ua vjedh zgjedhje”, tha ai.
Sipas tij, “opozita duhet të ndërtojë një model që tregon se mazhoranca mund të mposhtet politikisht”.
