Qindra të burgosur të huaj, përfshirë shumë anëtarë evropianë të grupit Shteti Islamik , janë transferuar nga Siria në Irak si pjesë e operacionit të fundit amerikan, tha të martën një burim i sigurisë irakiane.

Të martën, një zyrtar irakian tha se 4,583 të burgosur kishin mbërritur tashmë në vend, nga një objektiv prej 7,000.

Vendimi për transferimin e tyre u mor në janar nga SHBA-të, me qëllim shmangien e rrezikut të arratisjes së tyre pas tërheqjes, nën presionin e ushtrisë siriane, të forcave kurde nga burgjet ku mbaheshin xhihadistët.

Sipas burimit të cituar nga Agjencia France-Presse, të burgosurit që janë transferuar në Irak janë gjithsej 5,046, nga të cilët 271 janë irakianë. Shumica e tyre, 3,245, janë sirianë, ndërsa 900 vijnë nga Evropa, Azia dhe Australia.

Në grupin e evropianëve, shumica janë gjermanë (27), të ndjekur nga holandezët (10), britanikët (9) dhe francezët (3).

Gjykatat irakiane kanë nisur procedura ligjore kundër tyre. Në të kaluarën, gjykatat e vendit kanë dënuar shumë anëtarë të ISIS-it, përfshirë luftëtarë të huaj, me vdekje ose burgim të përjetshëm. Bagdadi u kritikua në atë kohë nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut të cilët denoncuan “gjyqet spektakolare”, rrëfimet e nxjerra përmes torturës ose përfaqësimin joadekuat të të akuzuarve nga avokatët e tyre.

Bagdadi dhe Uashingtoni po u kërkojnë vendeve të origjinës së këtyre të burgosurve t’i riatdhesojnë ata, por shumë qeveri, veçanërisht vendet perëndimore, refuzojnë ta bëjnë këtë.

Në vitin 2014, Shteti Islamik pushtoi zona të mëdha të Sirisë dhe Irakut, duke kryer masakra dhe duke skllavëruar gratë dhe vajzat si skllave seksuale. Me mbështetjen e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-të, Iraku shpalli humbjen e ISIS-it në vitin 2017. Në Siri, Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët mposhtën ISIS-in dy vjet më vonë. Kurdët burgosën mijëra anëtarë të dyshuar të organizatës dhe i mbyllën familjet e tyre në kampe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb