Të paktën 37 protestues u arrestuan gjatë përleshjeve të dhunshme që shpërthyen jashtë Parlamentit të Argjentinës, ndërsa Senati po debatonte reformën e punës të propozuar nga qeveria.
Sipas mediave kryesore argjentinase, duke cituar autoritetet e qytetit, të paktën katër oficerë sigurie mbetën të plagosur gjatë incidenteve. Mijëra persona morën pjesë në demonstratën e thirrur nga sindikatat dhe organizatat shoqërore, të cilat kundërshtojnë ndryshimet e propozuara në legjislacionin e punës.
Gjatë protestës, disa demonstrues hodhën gurë, fishekzjarrë dhe kokteje molotovi drejt kordonit të sigurisë. Si përgjigje, policia ndërhyri me topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet më të dhunshme.
Qeveria i dënoi incidentet, duke i cilësuar si “dhunë e organizuar”. Presidenti Javier Milei përsëriti se reforma do të ecë përpara pavarësisht protestave. Sipas qeverisë, masa synon të “modernizojë” tregun e punës, të reduktojë mosmarrëveshjet ligjore dhe të nxisë punësimin formal.
Nga ana tjetër, opozita e ka kundërshtuar ashpër reformën, duke argumentuar se ajo rrit pasigurinë në vendin e punës dhe dëmton të drejtat e punëtorëve.
Nëse miratohet nga Senati, projektligji do të kalojë për shqyrtim në Dhomën e Deputetëve.
