Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, ka qenë nën një sulm “masiv” me raketa ruse që nga orët e para të mëngjesit të së enjtes, ndërsa autoritetet raportojnë për goditje ndaj ndërtesave në disa zona të qytetit.
“Një sulm masiv ndaj kryeqytetit është ende duke u zhvilluar”, deklaroi kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, përmes një postimi në Telegram pak para orës 03:00, rreth 15 minuta pasi kishte njoftuar për sulme ndaj infrastrukturës me “raketa balistike”.
Sipas Klitschkos, pallate apartamentesh dhe ndërtesa të tjera janë goditur në të dy brigjet e lumit Dnieper, që përshkon qytetin. Ekipet e emergjencës janë dërguar menjëherë në vendngjarje për të ofruar ndihmë dhe për të vlerësuar dëmet.
Ndërkohë, Timur Tkachenko, kreu i komandës ushtarake të kryeqytetit, bëri të ditur se goditje janë regjistruar në një shtëpi dhe në dy pallate apartamentesh.
Korrespondentët e agjencisë së lajmeve Reuters raportuan se kanë dëgjuar disa shpërthime në qytet, ndërsa sulmi ishte ende në zhvillim. Ende nuk ka një bilanc zyrtar për viktima apo të plagosur.
