Kryeministri Edi Rama në prezantimin e programit për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë, teksa evidentoi disa problematika në këtë sektor, nuk i kurseu as batutat.
Ai tha se tashmë me ndërtimin e korpusit të ri të Drejtësisë do t’i jepet një frymë e re këtij sektori, ndërsa pohoi se më herët ka pasur vonesa katastrofike në çështjet e gjyqësorit.
“Po të kesh parasysh se në ça ndërtesash jemi formuar ne, jemi si ndërtime gjysmë pa leje dhe gjysmë me leje. Duhet të bëjmë diçka që t’i rezistojë kohërave. Në këtë drejtim është problematike për të gjithë, jo vetëm për sistemin e drejtësisë pasi sot kemi një numër të konsiderueshëm të institucioneve që janë qiramarrës të godinave private. Kemi nisur një proces që do të na çojë në zgjidhje përfundimtare me korporatën e investimeve duke marrë të gjitha pronat shtetërore dhe duke i vënë në dispozicion të këtij interesi publik. Nuk ka asnjë shitje apo dorëzim të një copëze në favor të investitorëve privatë në Tiranë, por kërkojnë që shteti, njësoj si pronarët privatë, të përfitojë nga ato. Kemi disa projekte që janë drejt finalizimit të kontratave për të përfituar disa zyra dhe sipërfaqe. Për qendrën e re të drejtësisë mendoj se është më ndryshe. Sistemi duhet të funksionojë me kushtet dhe standardet më të larta. Ishim në një situatë të rëndë, ku çdo institucion bënte modelet e veta, sistemin e vetë. Bënim shumë shpenzime. Ishte ndërtuar një sistem kioskash. Duke ndërtuar një rrjet njerëzisht që funksionojnë në interes të përbashkët, kemi arritur që të kemi një qasje tjetër. E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe në sistemin tuaj. Kemi pasur vonesa katrastrofike me menaxhimin e çështjeve gjyqësore. S’mundet që në emër të sistemit të drejtësisë, të ndërtohet një sistem i pavarur teknologjik, pasi nuk akseson dot. Të gjithë e marrim ujin nga i njëjti burim, por secili nga ne e hap rubinetin sa do vetë. Ndaj s’mund të ketë secili HEC të vetë.”, tha Rama.
