Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është ndalur tek çështje e ish-krerëve të UÇK, në Hagë, pas pretencës së dhënë nga Prokuroria e cila kërkoi 45 vite burg për secilin.
Mediu tha se ajo që po ndodh në Hagë nuk është vetëm një persekutim i ish-krerëve të UÇK, por edhe një padrejtësi e madhe që po përpiqet t’i bëhet Kosovës dhe popullit të saj.
“Ajo që po ndodh në Hagë nuk është vetëm persekutim i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, por një padrejtësi e madhe që kërkohet t’i bëhet historisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës. Liderët e UÇK ishin të parët që krijuan partneritetin me NATO-n. Kosova sot është e pavarur, një vend në partneritet me BE, por po përballet me sulm të organizuar nga Vuçiç dhe nga Rusia. Diplomacia shqiptare dhe parlamenti shqiptar, duhet të gjejnë mënyra për të ngritur këtë çështje në çdo institucion. Duhet të shtohet një pikë që Kuvendi i Shqipërisë mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Në Hagë po përpiqet të zhbëjnë të gjithë historinë. Duhet të jemi të bashkuar, dhe të veprohet në një zë në mbrojtje jo vetëm të liderëve të UÇK, por edhe të interesit kombëtar dhe të Kosovës. Është e turpshme kjo që po ndodh”, tha ndër të tjera Mediu.
