Politologu Ermal Hasimja, një nga nismëtarët e Forumit për Dialog Politik, ishte i ftuar në studion e News24, ku foli për tryezën e organizuar nga kjo nismë me aktorë të opozitës, përfshirë edhe Partinë Demokratike.
Hasimja e cilësoi takimin si pjesë të një procesi bashkërendimi mes forcave opozitare. “Është një proces për t’i bashkuar. Tani jemi në një moment urgjent, duke marrë parasysh se qeveria kërkon të ndryshojë nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale,”, u shpreh ai.
Sipas tij, partitë pjesëmarrëse në tryezë, përfshirë edhe PD-në, mbështetën një drejtësi kushtetuese që funksionon sipas standardeve perëndimore. Një tjetër çështje e diskutuar ishte reforma zgjedhore, ku Hasimja theksoi se në komisionin përkatës do të paraqitet një propozim i unifikuar për Kodin Zgjedhor.
Ai bëri me dije se kjo ishte vetëm tryeza e parë në kuadër të këtij angazhimi, ndërsa u artikulua edhe kërkesa për krijimin e një qeverie tranzitore, me synim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në përfundim, Hasimja foli edhe për thirrjen për protesta të vazhdueshme duke nisur nga data 20 shkurt, të cilën e cilësoi si një datë me peshë simbolike. Sipas tij, protesta synohet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm e Partisë Demokratike.
