Java e 24-t e “Abissnet Superiore” do të luhet në fundjavë, më 14 dhe 15 shkurt, duke premtuar sfida spektakolare dhe emocione të shumta për tifozët e futbollit shqiptar. Kjo javë nis të shtunën me dy takimet e para.

Ndeshja e parë është Vora kundër Egnatias, që do të zhvillohet në stadiumin e Vorës në orën 13:30, një duel ku të dyja ekipet synojnë maksimumin. Ndërkohë në Durrës, në stadiumin “Niko Dovana”, Teuta përballet me Bylisin me objektivin e qartë për t’u rikthyer te fitorja dhe për të përmirësuar pozitat në renditje.

Tre ndeshjet e tjera luhen të dielën. Në orën 16:30 janë planifikuar dy takime. Në “Elbasan Arena”, Dinamo City përballet me Flamurtarin.

Po në të njëjtën orë, në stadiumin “Air Albania”, vëmendja kryesore do të jetë te derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës. Një përballje me histori të gjatë, rivalitet të fortë dhe peshë të veçantë në futbollin shqiptar. Kjo sfidë nuk është thjesht një ndeshje kampionati, por një duel prestigji ku atmosfera në tribuna dhe tensioni sportiv në fushë pritet të jenë në nivel maksimal. Të dy skuadrat hyjnë në këtë takim me objektiva të qarta dhe me synimin për të marrë tri pikë që vlejnë shumë, jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin dhe besimin në vazhdim të sezonit.

Java e 24-t mbyllet me ndeshjen Vllaznia kundër AF Elbasanit në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 19:30, një përballje direkte mes dy skuadrave që kryesojnë renditjen. Nëse Vllaznia fiton, regjistron suksesin e shtatë radhazi dhe shkëputet me 6 pikë. Në rast fitoreje të AF Elbasanit, skuadra verdheblu barazon shkodranët në krye. Një ndeshje që nuk duhet humbur dhe që premton spektakël dhe emocione për të gjithë tifozët e futbollit shqiptar.

Java 24

FK Vora – Egnatia, 14.02.2026 13:30 stadiumi “Vora”

Teuta – Bylis, 14.02.2026 16:30 stadiumi “Niko Dovana”

Dinamo City – Flamurtari, 15.02.2026 16:30 stadiumi “Elbasan Arena”

Partizani – Tirana, 15.02.2026 16:30 stadiumi “Air Albania”

Vllaznia – AF Elbasani, 15.02.2026 19:30 stadiumi “Loro Boriçi”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb