Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri bëri vlerësimin e tij para ndeshjes ndaj Pisa në Serie A.
‘Pisa ka bërë ndeshje të mira, sidomos në shtëpi-tha Allegri-është një skuadër fizike që gjithnjë ka qëndruar në lojë. Në duher të jemi gati pas 10 ditësh pushimi. Në fazën e dytë, pikët kanë shumë rëndësi. Kjo do të jetë e para nga 4 ndeshjet që do të na çojnë te derbi. Ndaj Pisa, Parmës dhe Cremoneses morëm vetëm 2 pikë në fazën e parë. Për ne është një raund i rëndësishëm edhe sepse skuadrat e tjera kanë ndeshje direkte me njëra tjetrën. Duhet të afrohemi me kuotën e pikëve që do të na lejojë të hyjmë në Champions League’
Për Allegrin, objektivi është i qartë.
‘Të fitosh nuk është një gjë normale, por e vështirë, e arrin vetëm një skuadër-shtoi Allegri-jemi nisur për t’u kthyer në Ligën e Kampioneve. Për momentin jemi mes 4 më të mirave dhe ky mbetet objektivi. Mund të bënim më mirë në Kupën e Italisë, ky do të jetë pengu ynë. Interi dhe Napoli janë skuadra shumë të forta , Juventus po kthehet dhe Roma e Gasperinit po bën një punë shumë të mirë. Duhet të jemi të përqendruar për atë që duhet të bëjmë sepse nuk do të jetë e lehtë’.
Më pas Allegri iu përgjigj një pyetje specifike se a do të firmoste ai për një raund direkt për titullin me Interin.
‘Po, në këtë moment, Inter është një skuadër shumë e fortë, luan për titullin prej 5-6 vitesh, por ne fillimisht duhet të mendojmë të fitojmë në Pisa dhe të bëjmë atë që duhet’-tha Allegri.
