Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në studion e News24, komentoi zhvillimet e fundit politike në vend, duke theksuar se protestat nuk janë thjesht një reagim i Partisë Demokratike, por pasqyrojnë edhe zemërimin dhe pakënaqësinë e qytetarëve shqiptarë.

“Protesta nuk është vetëm zemërimi i PD-së. Ka qytetarë të zemëruar që duan që gjërat të ndodhin më shpejt. Çdo protestë në Shqipëri është organizuar nga partitë politike, sepse nuk kemi sindikata aktive si në vende të tjera, si Greqia, për shembull. Shoqëria civile dhe sindikatat këtu nuk ekzistojnë”, tha Çollaku.

Sipas tij, shoqëria shqiptare duhet të ketë një rol opozitar më aktiv, duke kontribuar në kontrollin e qeverisë dhe përballjen me problemet, dhe jo vetëm një parti politike që të mbajë monopol mbi protestat. Ai shtoi se shumë shqiptarë presin zgjidhje nga jashtë ose emigrojnë për të shpëtuar nga situata e vështirë në vend.

Duke folur për qëllimin e protestave të fundit të PD-së, gazetari vuri në dukje se partia ka pasur synim më shumë komunikimin ndërkombëtar, duke kritikuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.

“Duke parë gjendjen ku ndodhet qeveria me drejtësinë, vjedhjet, ekonominë, krimin, etj., synimi i PD-së ka qenë më tepër në komunikimin ndërkombëtar. Një nga pikat e forta të Ramës ka qenë komunikimi ndërkombëtar, por sot ky qëndrim nuk është më i njëjtë. Për 13 vite nuk kam parë ndonjëherë qëndrim më të ftohtë dhe kritik nga Brukseli ndaj qeverisë dhe kryeministrit. Qeveria është në luftë të hapur me drejtësinë”, u shpreh Çollaku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb