Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar situatën politike në vend dhe akuzat që opozita adreson ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai u ndal veçanërisht te ftesa që Shqipëria ka marrë nga Shtetet e Bashkuara për të qenë pjesë e Bordit të Paqes, çka mund të nënkuptojë edhe një takim të Ramës me presidentin Donald Trump.

Këlliçi theksoi se ftesa nuk është personale për kryeministrin, por i është drejtuar shtetit shqiptar. Sipas tij, presidenti i Republikës ia ka deleguar përfaqësimin kryeministrit për këtë aktivitet.

“Ftesën e SHBA për Bordin e Paqes e ka marrë shteti shqiptar dhe presidenti ia ka kaluar plotfuqishmërinë Edi Ramës për të shkuar atje”, u shpreh deputeti demokrat.

Në vijim, ai solli në vëmendje rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri, duke kujtuar se kishte zhvilluar një takim me ish-presidentin Barack Obama pak kohë përpara se të përballej me drejtësinë.

“Saimir Tahiri takoi Obamën pak kohë para se të arrestohej si narkotrafikant”, deklaroi Këlliçi.

Deputeti i PD-së shtoi se, sipas tij, SHBA ka institucione të forta që vijojnë të bëjnë punën e tyre pavarësisht zhvillimeve politike. Ai përmendi edhe raportime të mediave ndërkombëtare, si VICE, Washington Post dhe Washington Examiner, të cilat sipas tij kanë trajtuar çështje që lidhen me fenomenin e narkoshtetit në Shqipëri.

“Jemi krahasuar me Meksikën për lidhjen e qeverisë me bandat, krimin dhe kartelet e drogës”, tha Këlliçi, duke theksuar se këto perceptime dëmtojnë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb