Ambasada Gjermane në Tiranë njoftoi se ambasadori Karl Bergner zhvilloi sot një takim me kreun e SPAK, Klodian Braho, ku në fokus ishte forcimi i sundimit të ligjit në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar, shkëmbimi i mendimeve u përqendrua tek rëndësia e konsolidimit të institucioneve të drejtësisë dhe vijimi i reformave kyçe. Ambasada theksoi se sundimi i ligjit përbën një kusht thelbësor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjermania, si një nga vendet kryesore mbështetëse të procesit të integrimit, rikonfirmoi përkrahjen e saj të fortë politike dhe financiare për rrugëtimin evropian të vendit. Në deklaratë thuhet se Berlini zyrtar do të vazhdojë angazhimin intensiv për të ruajtur progresin e arritur gjatë viteve të fundit, si dhe për të mundësuar një luftë sa më efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Takimi vjen në një moment kyç për procesin e integrimit, ndërsa autoritetet shqiptare vijojnë përpjekjet për forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb