Janari i vitit 1945 shënoi fillimin e një operacioni të madh ekonomik, që do të ndryshonte përgjithmonë strukturën shoqërore të Shqipërisë.

Nën justifikimin e “tatimit mbi fitimet e luftës”, regjimi i ri komunist ngriti një mekanizëm ligjor dhe administrativ që në praktikë u shndërrua në një fushatë të gjerë konfiskimi pasurish. Tregtarë, industrialistë dhe familje të pasura u vunë përballë komisioneve të posaçme, të drejtuara jo nga ekspertë finance, por nga figura të përzgjedhura mbi bazën e partishmërisë politike. Me justifikimin se po merrnin pasuritë e fituara padrejtësisht gjatë luftës, komunistët u morën gjithçka tregtarëve, industrialistëve dhe shqiptarëve të pasur, duke e rrënuar plotësisht këtë shtresë.

Masat ishin energjike sepse pushtetit të ri i duheshin bazat ekonomike. Në ditët e para të janarit 1945 u miratua kuadri ligjor dhe u ngritën komisionet përkatëse. Kriteri më i rëndësishëm, veçanërisht për kryetarët e komisioneve, ishte partishmëria. Në dokumentin e publikuar nga “Kujto.al” pasqyrohet formimi i Komisionit për Shqyrtimin e Fitimeve të Luftës në Prefekturën Tiranë, i cili u kryesua nga nënkolonel Beqir Balluku. Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar miratoi ligjin nr.37, datë 13.1.1945 “Mbi tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”, i cili u botua në “Gazeta Zyrtare”, nr.4, 23 janar 1945. I përbërë nga 19 nene, ky ishte ligji i cili do grabiste pasurinë e shqiptarëve, me kursimet e të cilëve do të ndërtohej regjimi komunist. Kjo ishte gjuetia ndaj floririt kryesisht. Përllogaritja e tatimit ishte abuziv, një shkak për të zhvatur. Këtij ligji iu bë një shtojcë me ligjin nr.89, datë 12.07.1945. Kuadri rrjepës u shtua me: Me ligjin nr.65, datë 18.05.1945, “Mbi likuidimin e pasurisë së bashkadhënësve debitor kundrejt Arkës së Shtetit për Tatimin e Jashtëzakonshëm mbi Fitimet e Luftës” dhe ligjin nr.416 datë 13.3.1947 “Mbi tatimin e jashtëzakonshëm të luftës dhe mbi sendet e bllokuara dhe rekuizuara”.

Në zbatim të ligjit të tatimeve, u krijuan komisionet për shqyrtimin e fitimeve të luftës, të cilat mbanin lidhje me Ministrinë e Financave. Këta ishin njerëz, që kryesisht nuk merrnin vesh nga fusha e financës (sidomos kryetarët), por ishin vetëm me partishmëri të lartë. Komisionet ishin pranë çdo qendre prefekture e nënprefekture. Më 10.1.1945 u zgjodh Komisioni për Shqyrtimin e Fitimeve të Luftës në Prefekturën Tiranë, i cili u kryesua nga nënkolonel Beqir Balluku, i caktuar nga Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës. Ismail Alla u caktua nënkryetar, ndërsa Vangjel Noti e Koço Lipivani si sekretarë. Komisioni përbëhej nga anëtarë të Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut Tiranë, të deleguar nga rinia antifashiste, sindikatat dhe tregtarë të manifakturës, sendesh ushqimore dhe lëndës së ndërtimit.

Screenshot 20
Screenshot 20

KRIMET

Beqir Balluku përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qenë, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”. Beqir Balluku (Tirana, 17 shkurt 1917 – 5 nëntor 1975) ishte partizan, gjeneral dhe ministër. Ndoqi pak vite Shkollën Teknike të Tiranës, pa mundur ta përfundonte. Më 1934 fillon punë si hekur-punues tek zanatçiu Filip Ujka në Tiranë. Më 1937 lidhet me grupet komuniste me anë të shokut të tij, Vasil Shantos. Nga fundi i vitit 1940 teksa ishte në frontin e luftës, ai u internua nga Komanda e Ushtrisë Italiane, i akuzuar si rebel që nxiste dezertimet në radhët e ushtarëve shqiptarë. Pasi qëndroj për dy-tre muaj si i internuar në qytezën e Shijakut, ku u cilësua si “element turbullues”, italianët e transferuan përsëri në një postë ushtarake në rrethinat e Ulqinit.

Në vitin 1941 ai e përfundoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në postën ushtarake të Ulqinit dhe pas kësaj u kthye pranë familjes në shtëpinë e tij në qytetin e Tiranës. Në atë kohë, Beqiri rivendosi lidhjet e tij me ish-shokët që kishte pasur përpara se të shkonte ushtar, Vasil Shanton dhe Vojo Kushin, të cilët e afruan në celulat komuniste dhe në marsin e vitit 1942 e pranuan si anëtar të Partisë Komuniste. U arrestua më 1943 për pak muaj dhe më 20 maj 1943 u caktua komandant i batalionit partizan Krujë-Ishëm. Më 18 shtator 1943 komisar i Brigadës së 3-të dhe më pas komandant i Brigadës së 2-të. Më 1944 ka qenë komandant i shtabit operativ të brigadave 2, 9 dhe 20. Më 1945 qe anëtar i Gjyqit Special. Më 1945-1948 qe zëvendëskomandant i korpusit të parë, komisar i korpusit të dytë dhe komisar i komandave të prapavijës në komandën e përgjithshme dhe komandant divizioni. Më 28 janar 1948 ishte emëruar kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë deri më 1950. Kreu në Moskë Akademinë Ushtarake “Voroshillov”.

Në kongresin e parë të PKSH së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1953 nga zëvendësministër u bë ministër i Mbrojtjes Popullore, post që e pati deri më 1974. Një vit më pas mori gradën më të lartë në Shqipëri, atë të gjeneralleitnantit. Nga 1946 Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor dhe nga 1954 deri më 1974 zëvendëskryeministër. Më 1960 u emërua kryetar i komisionit qendror të internim-dëbimeve pranë Kryeministrisë.

AKUZAT

Në vitin 1974, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen ndaj Beqir Ballukut në Aktivin e Ushtrisë që u mbajt në Durrës. Në vitin 1974 përjashtohet nga funksionet partiake dhe shtetërore në Plenumin e Pestë. Më 4 gusht 1974 e largojnë nga vila e “Blloku”- t të udhëheqjes dhe e internojnë në Roskovec të Fierit. Më 6 dhjetor 1974 Beqir Balluku arrestohet në Selenicë të Vlorës ku ishte i internuar pas Fierit dhe u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake. U dënua me vdekje për “tradhti ndaj atdheut, agjitacion e propagandë, përvetësim të pasurisë socialiste në përpjesëtime të mëdha dhe shpërdorim të pozitës zyrtare”. Me vdekje, me pushkatim u dënuan tre ishgjeneralët, drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Beqir Ali Balluku, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Taulla Dume dhe drejtori i Drejtorisë Politike, Hito Shaqo Çako, kurse me 25 vjet burg u dënua Rrahman Parllaku, ish-zëvendës.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Gjyqi ndaj tyre, i zhvilluar nga data 25 tetor deri në 5 nëntor të vitit 1975, në një sallë improvizuar në ambientet e Repartit 313 të Tiranës, (i njohur ndryshe si “Burgu i Vjetër” apo “Kaushi”), ku ata zhvilluan edhe procesin hetimor e, qëndronin të izoluar dhe nën masa të rrepta sigurie, që nga periudha e arrestimit, më datën 6 dhjetor e vitit 1974. Arrestimi i Ballukut, Dumes, Çakos dhe Parllakut, erdhi pas një periudhe afro gjashtëmujore, mbledhjesh e aktivesh e plenumesh, të zhvilluara me kuadrot më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byrosë Politike, ku në pjesën më të madhe të tyre, kishte asistuar dhe drejtuar personalisht, vetë Enver Hoxha.

Procesverbali

Më datën 5 nëntor 1975 pushkatohet në një tunel në Linzë me Petrit Dumen e Hito Çakon dhe eshtrat e tij u groposën në fshatin Vranisht të Vlorës me urdhër të Kadri Hazbiut pas ekzekutimit. Eshtrat iu gjetën në verën e vitit 2001 dhe u varrosën në Tiranë. Me aktakuzën më datë 15 tetor 1975, në bashkëlidhje me dënimin me vdekje dhe konfiskimin e pasurisë, iu hoqën titujt e nderit dhe dekoratat. Por cilat ishin fjalët e fundit të tre të pushkatuarve sipas raportit që hartoi Nevzat Haznedari, ekzekutuesi i Beqir Ballukut, Petrit Dume, Hito Çako.

PROCESVERBAL:

Në Tiranë, më 5/XI/1975

Në bazë të urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme Nr.850 datë 5/XI/1975, ora 16:00, në vendin e caktuar në prani të prokurorit Murat Kanani dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Nevzat Haznedari, i ngarkuari i Drejtorisë së Hetuesisë, u ekzekutua vendimi me vdekje për armiqtë komplotistë Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako.

Para ekzekutimit secili nga këta armiq u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën e tyre për faljen e jetës. Mbas kësaj ata thanë:

1. Beqir Ali Balluku – Nuk foli fare

2. Petrit Taulla Dume – “Të rrojë populli, të rrojë partia”

3. Hito Shaqo Çako – “Mirë”

Në përfundim u krye ekzekutimi i tyre nga unë Nevzat Haznedari dhe pasi u kontrolluan nga mjeku Nevzat Vigani, u konfirmua vdekja e tyre.

Nevzat Haznedari, Murat Kanani, Nevzat Vigani Tiranë, më 5. XI. 1975

/ Gazeta Panorama

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: