Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni i ftuan dje (12 shkurt liderët e BE në një samit joformal në Belgjikë, ku u morën vendime të rëndësishme.
Jam lidhur tani në Gjermani, me analistin e Deutsche Welle (DW)Auron Dodin
News24: Auron, përshëndetje, Për se ranë dakord kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së në samitin joformal?
A.Dodi: Në takimin që u mbajt në Kështjellën Alden Biesen në Belgjikë, pranë kufirit gjerman, u ra dakord për një plan gjithëpërfshirës për të forcuar tregun e brendshëm të BE. Synimi është të sigurohet aftësia për konkurrencë, ndaj SHBA dhe Kinës, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kryetarët e shteteve dhe qeverive ranë dakord të përshpejtojnë reduktimin e burokracisë dhe ta bëjnë më të lehtë themelimin e bizneseve. Do të lejohet krijimi i ndërmarrjeve përtej kufijve nacionalë, në nivel evropian. Për këtë do të rishikohen rregullat e fuzionimit të sipërmarrjeve. Komisioni Evropian do të paraqesë propozim konkret për sipërmarrjet në samitin e marsit të BE. Plani konkret do të jetë gati deri në qershor. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se “ne jemi të bashkuar nga një ndjenjë urgjence”.
News24: Cili është thelbi i dakordimit dhe si do të zbatohet ai?
A.Dodi: Një element qendror i dakordimit është krijimi i unionit të kursimeve dhe investimeve. Me të do të mobilizohen rreth 10 bilionë euro, të cilat rrinë pa u përdorur në banka, të cilat janë kursime për investime. Faza e parë do të përfundojë deri në qershor. Von der Leyen-i paralajmëroi se në rast pengesash nga 27 shtetet e BE, do të avancohet me një Evropë të dy shpejtësive: pra do të merren vendime me një grup të vogël shtetesh, me të paktën nëntë anëtarë. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i vlerësoi vendimet për thellimin e tregut të brendshëm si potencialisht një “pikë kthese”.
News24: Pse u zhvillua ky samit joformal i BE përpara samitit të mirëfilltë në mars?
A.Dodi: Kancelari Friedrich Merz e preferon mbajtjen e samiteve të tilla para samiteve formale për të diskutuar lirshëm. Këtë herë, Merz-i e organizoi samitin me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Të dy ranë dakord në janar për këtë hap, kur Merzi vizitoi Romën. Të dy i ftuan në takimin joformal të gjithë liderët evropianë. Para takimit, Merzi dhe Meloni shpërndanë një dokument të përbashkët njëfaqësh. Në të përmendin se Gjermania dhe Italia janë “dy kombet më të rëndësishme të industrializuara të Evropës”. Më parë, Berlini e strukturonte me Parisin agjendën e takimeve të tilla evropiane. Por pas irritimeve të hapura javët e fundit, nuk ishte e qartë, nëse Macroni do të merrte pjesë në samit.
News24: Cilat janë problemet për të cilat janë përplasur javët e fundit Gjermania me Francën?
A.Dodi: Mosmarrëveshjet kanë nisur që në vjeshtë vjet. Së fundi ishte qëndrimi bllokues i Francës për marrëveshjen e tregtisë së lirë të BE me shtetet e Mercosurit (Brazil, Argjentinë, Paraguaj, Uruguaj). Gjermania, si ekonomi eksporti, ishte shumë e interesuar për të. Dhe arriti ta miratojë Mercosurin vetëm me ndihmën e Italisë. Shtypi gjerman dhe francez këtë javë kanë disa artikuj që flasin se të dyja vendet i tregojnë hapur mosmarrëveshjet. Këtë javë, para takimit, Emmanuel Macroni dha disa intervista në medie evropiane. Në to mbrojti çështje që prej kohësh kanë sjellë mosmarrëveshje mes Francës dhe Gjermanisë. Kërkoi që Evropa të marrë borxhe të përbashkëta, eurobonde; mbrojti proteksionizmin, edhe favorizimin e produkteve evropiane. Gazeta franceze “Le Monde” veçoi se Emmanuel Macroni gjithashtu kritikoi indirekt edhe zgjedhjet strategjike të Gjermanisë, qoftë në aspektin e energjisë, sigurisë së garantuar nga SHBA, apo varësisë nga Kina si treg eksporti.
News24: Pse vepron kështu Presidenti francez?
A.Dodi: Vëzhgues mendojnë se pas mossuksesit në politikën në Francë, Presidenti francez mendon se ka ndikim në politikën e jashtme. Por diplomatë evropianë thonë se Franca kërkon, pa ofruar vetë asgjë. Sa për ilustrim: në kujtimet e saj, ish-kancelarja Angela Merkel tregon se në 2005 e kishte mënjanuar bllokadën e buxhetit të BE nga Polonia (e sapopranuar në BE), me para gjermane. Ajo i dha nga një fond i posaçëm për negociata 100 milionë euro Polonisë, për zonat më të varfra të vendit.
Të habitur për ricklimin tani të temës së eurobondeve nga Macroni kanë qenë edhe analistët. Mediat polake p.sh. shkruajnë se gazetarët e pyetën Macronin, nëse kërkesa e tij për borxhe të përbashkëta ka synim tjetër të vërtetë: ta likujdojë borxhin vetjak galopant të Francës me paratë e BE, kryesisht në kurriz të Gjermanisë. Por Macroni i kundërshtoi duke u thënë se kërkesa e tij bazohet në mjetet sipas tij të kufizuara që ka BE.
News24: Si ka reaguar Berlini zyrtar ndaj kërkesave të Parisit dhe mbi të gjitha si u pozicionua samiti për to?
A.Dodi: Mediat kryesore gjermane e kanë trajtuar veçanërisht distancimin mes Berlinit dhe Parisit. Zëdhënësi i qeverisë gjermane tha se Berlini çështja e Eurobond-eve shpërqëndron vëmendja nga çështja reale, “përkatësisht problemet tona të produktivitetit”. „Nuk mund të kërkosh më shumë para, pa nisur reformat.”
Sipas disa burimeve, vetëm shlyerja e borxhit të përbashkët të krijuar gjatë pandemisë së Covid-19 do të kushtojë 24 miliardë euro në vit nga viti 2028 – një shumë e barabartë me 15% të buxhetit vjetor të BE. Këto janë borxhe shtesë për çdo shtet anëtar, edhe nëse nuk duken si të tilla
Dhe pas samitit, kancelari Merz u shpreh qartë se “nuk do të pajtohem me financimin (e masave) përmes Eurobond-eve.” “Nuk e dua këtë.” Merzi tha se borxhet e përbashkëta evropiane u morën në rrethana të jashtëzakonshme, për shembull në pandeminë e koronavirusit dhe për shkak të luftës kundër Ukrainës. Por tani, “BE duhet të mjaftohet me paratë “që kemi”. Në samit, Spanjës iu duk me interes propozimi i Francës për t’i financuar masat e BE me borxhe të përbashkëta (ndonëse kjo nënkupton që vendet më të fuqishme të mbështesin ato më të dobëta), kurse kryeministrja italiane Meloni nuk bëri asnjë koment. Merzi tha se në këtë samit megjithatë, financimi i masave zuri vend të vogël si temë.
News24: A qëndrojnë Macron-i dhe Merz-i tani në distancë apo bashkëpunojnë me njëri-tjetrin?
A.Dodi: Merz-i dhe Macron-i, para fillimit të samitit, përcollën me ndërgjegje sinjale uniteti. Ata mbërritën krah njëri-tjetrit në samit. Merz-i u shpreh i kënaqur “që Emmanuel Macron-i dhe unë jemi – si pothuajse gjithmonë – në një mendje”.” Macroni gjithashtu bëri përpjekje për të shmangur polemikat, duke mos thënë asgjë për eurobondet. Nuk përmendi as kërkesën e tij që BE të preferojë në çdo blerje firmat evropiane. Deklaratat në fund të takimit treguan megjithatë se ata ruajnë pikëpamje të ndryshme.
Me vend është njëkohësisht që marrëdhëniet gjermano-franceze apo gjermano-italiane të mos vështrohen ngushtë. Synimi është të gjendet një partner i gatshëm dhe i aftë që të veprojë brenda BE. Merzi me Melonin është fakt që janë në të njëjtat valë, shkruante gazeta italiane Corriere dela Sera. Ndërsa mundësitë e Presidentit Macron janë të kufizuara, 15 muaj përpara se t’i mbarojë mandati. Por në thelb, “të gjithë po kërkojnë një recetë të përbashkët”.
