Në kuadër të Forumit të Sigurisë që po zhvillohet në Mynih, biznesmeni shqiptar Fatmir Hysenbelliu dhe sipërmarrësi Dorian Duçka kanë zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë ndërkombëtarë.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, ata janë takuar me Luigi Di Maio, ish-ministër i Jashtëm i Italisë dhe aktualisht i dërguar special i Bashkimit Europian për rajonin e Gjirit.
Në fokus të bisedës kanë qenë zhvillimet gjeopolitike, siguria energjetike, si dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.
Po ashtu, Hysenbelliu dhe Duçka kanë zhvilluar një takim edhe me Sultan bin Ahmed Al Jaber, Ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar i Emirateve të Bashkuara Arabe. Diskutimet janë përqendruar te investimet strategjike, teknologjia, inovacioni dhe potenciali i projekteve të përbashkëta.
Takimet në Mynih vijnë në një moment kur forumi mbledh liderë politikë, përfaqësues të biznesit dhe ekspertë të sigurisë nga mbarë bota, duke krijuar një platformë të rëndësishme për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe rritjen e rolit të aktorëve ekonomikë shqiptarë në skenën globale.
